Pro apo kundër Shqipërisë? Holanda: Në BE, kur të keni rezultate!

17.01.2019 16:14:22

Ministri i Jashtëm i Holandës, Stef Blok, ka deklaruar se vendi i tij e dëshiron Shqipërinë në Bashkimin Europian, por kjo nuk mund të arrihet nëse nuk ka rezultate.

I pyetur se pse Holanda, i cilësuar si vend skeptik voton gjithmonë kundër Shqipërisë në BE, ai tha theksoi: “Ne jemi të angazhuar për perspektivën evropiane, por në bazë të progresit të dukshëm dhe konkret. Është i njëjti mesazh që u kam dhënë vendeve aspiruese. Është më se logjike që unë të përdor të njëjtat kritere edhe për shtetet aktuale inspiruese për në BE”.

Blok tha se vendi i tij është shumë i përkushtuar që ta ndihmojë Shqipërinë që të bëjë progres, “Duam që nga secili vend aspirues të arrijë më tej”.

Sipas tij, është e rëndësishme të ruhet fokusi tek konsolidimi i reformave shtesë për tu ruajtur fokusin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Duhen dekurajuar njerëzit për të emigruar në azil. Orvatjet e tyre do të jenë të pafrytshme”, deklaroi ministri holandez.

Stef Blok tha se sa i takon hapjes së negociata të Shqipërisë me BE, Holanda do ta mbështesë Shqipërinë dhe do ta ndihmojë që të ketë edhe më tepër progres, por ai ka theksuar se për të dhënë dritën jeshile, është shumë e nevojshme që të shihet raporti i KE lidhur me progresin që vendi ynë ka bërë.

Sa i takon 8 pyetjeve që deputeti holandez, Dieter Omtzigt, i ka drejtuar Blok lidhur me dyshime mbi tenderin e aeroportit të Vlorës dhe “Air Albania”, Blok u shpreh se në traditën parlamentare holandeze, pyetjet janë pjesë e procesit dhe se të gjithë deputetët ngrenë pyetje të vazhdueshme dhe se nuk bëhet vetëm për ndonjë rast specifik.

Për 8 pyetjet mbi qeverinë shqiptare ai është shprehur se janë njohur së fundmi me këto pyetje dhe se ende nuk i kanë shqyrtuar dhe në momentin që do të vihen në kontakt dhe të kenë një përgjigje për secilën, do t’i bëjnë publike.

Deklarata e tij u bë gjatë konferencës së sotme për mediat me homologun në largim, Ditmir Bushati.