PS i kujton Metës deklaratën e Palmer: Pengimi i zgjedhjeve, arsye për të mos hyrë në SHBA

09.06.2019 20:57:41

Pengimi i një procesi zgjedhor potencialisht përbën arsye për moskualifikimin për të hyrë në Shtetet e Bashkuara”, kjo ishte deklarata që Matthew Palmer, i dërgoi opozitës pak orë para protestës të të shtunës, por që PS ia kujton edhe presidentit Ilir Meta, pasi ky i fundit vendosi shtyrjen e zgjedhjeve.

Kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla ka reaguar me anë të një postimi në rrjetet sociale një ditë pas deklaratës së Metës për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit.

Duke cituar zyrtarin e DASH, krahas fotos së publikuar në facebook, Balla shkruan: “fiks”.

Vendimi i Metës për të shtyrë zgjedhjet e 30 qershorit, nuk është pritur mirë nga maxhoranca, e cila thekson se data nuk lëviz pavarësisht çdekretimit nga Meta. Kryeministri Edi Rama ka lënë të kuptohet se kreu i shtetit mund të shkarkohet. Këto janë orë vendimtare, ndërsa nesër presidenti ka njoftuar një konferencë të jashtëzakonshme.