PSG leksion force Monacos në finalen e Kupës

01.04.2017 23:07:45

Për të katërtin vit radhazi dhe për të 7-tën herë në histori PSG fitoi Kupën e Ligës në Francë duke vendosur një rekord të ri në Francë pas një fitoreje bindëse 4-1 në “Stade de Lumieres” ndaj Monacos. Në një sezon që mendohej se do të kishte një rrokadë force në Francë, me Monacon që ka një kryesim të lehtë karshi PSG, parizienët treguan se mbeten ende ekipi për t’u mundur. Monaco pagoi gabimet në mbrojtje, si në rastin e golit të Draxlerit që në fillim (0-1), apo të Di Marias në fundin e pjesës së parë (1-2), kur mbrojtja ishte tërësisht e pavendosur dhe madje as një finalizim si ai i Lemar në të 27-tën pas jnë aksioni shumë të bukur nuk i fshehu aspak gabimet e formacionit të Jardim në këtë  sfidë. Cavani më pas mbetet Cavani dhe urugujani në dy raste arriti të ishte vendimtar duke shënuar dy gola mjaft të bukur, një në fillimin e pjesës së dytë që shtroi rrugën e PSG drejt trofeut dhe një në fund, që i lejoi Thiago Silvës të ngrinte më pas lart Kupën e Ligës. Suksesh shumë i rëndësishëm për PSG, që mund të vlejë shumë sidomos në aspektin moral sa i përket garës në kampionat me monegaskët. /supersport.al/