Qeveri se jo mahi, e banalizuat edhe më “kauzën” për shtetin!

08.11.2017 16:45:37
Nga: Jusuf M. Bytyçi
“Më jepni edhe një shansë, që ta vazhdoj punën e ndërprerë të njëqind ditëshit tim të qeverisjes së vitit 2004-2007, me LDK-në dhe presidentin Ibrahim Rugova”, ishte insistimi dhe kërkesa e parreshtur e Ramush Haradinajt, kreut të AAK-së, pavarësisht nga rezultatet gjithnjë e të padinjitetshme, të pafavorshme për AAK-në në zgjedhjet e shumta nga atëherë e deri më sot!
Përderisa R. Haradinaj ndodhej në Hagë, përfaqësuesit e tij në Prishtinë e në komunat e Kosovës, çdo rezultat të dobët e arsyetonin me mungesën e liderit, pra si hendikep për partinë! E, Ramushi, dëshirën për të qenë në krye të Qeverisë së vendit, nuk e fshehu asnjëherë, edhe në ditët e pas kthimit i shpallur jo fajtor nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime të luftës në Hagë, derisa në krye të Qeverisë ishte Hashim Thaçi, ish-kryetar i PDK-së, si fitues për herë të dytë i zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë! Atëherë Ramushi ishte mashtruar nga çilimat e shtruar në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, respektivisht nga pritja institucionale që i kishte bërë ish-kryeministri Thaçi.
Nga atëherë dhe deri pesë minuta para se të përfundojë afati për paraqitjen e listës së koalicioneve para zgjedhjeve të parakohshme nacionale të 11 qershorit 2017, R. Haradinaj dhe e gjithë AAK-ja nuk kishin lënë gjë të keqe pa e thënë e pa ia thënë dhe atribuuar H. Thaçit, PDK-së dhe për të gjithë bashkëpunëtorët e tij, edhe për kryetarin e tashëm të PDK-së, pasuesin e Thaçit, tash prapë kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në fakt K. Veseli, i bëri strehë Ramushit, F. Limajt e të tjerë liderëve të subjekteve minore në koalicionin e madh PANA….e që megjithë problemet, dy muaj më parë e formuan Qeverinë e një koalicioni shumë partiak, por me vetëm 61 vota-deputetë.
Fatkeqësisht, premtimet dhe zotimet e Haradinajt, si kryeministër me vetëm 10 ulëse të AAK-së në Kuvend, për shtetin, interesin e shtetit, po dalin thjeshtë mashtrim dhe kauzë e rrejshme! Buxheti i shtetit, taksat e qytetarëve taksa pagues, po shpenzohen pa pasur asnjë gjynah, asnjë përgjegjësi e ndershmëri! Luksi qeveritar, telefonë-ifonët e shtrenjtë që në ditët e para, ndarja e mjeteve për iks komisione dhe iks nevoja “imediate”, por neglizhimi i çështjes së rishikimit të buxhetit, problemi me pensionet e veteranëve të UÇK-së, zvarritja e papërgjegjshme e mbledhjeve të Kuvendit të Kosovës, janë dëshmi e shmangies së kryeministrit dhe qeverisë nga zotimet e parimet e shumë reklamuara. Derisa Ramushi, Fatmiri e compani, ishin në opozitë, e kritikonin Qeverinë Mustafa, “si qeveria e qeverisja më e keqe”, e akuzonin si qeveri me shumë ministra, dhe me akuzat për “tradhëti”, duke përdorur kauzat tashmë bajate për shenjëzimin e vijës kufitare dhe asociacionin, tash e dhi.. krejt me një qeveri megalomane, me shtim të ministrive, të ministrave, pesë zëvendës kryeministrave, edhe sekserë, 60 apo më shumë zëvendës ministrave, qindra këshilltarësh etj., shumica nga të cilët humbës të garave zgjedhore të verës për deputetë, respektivisht të kësaj vjeshte për kryetarë të komunave. Sot në Kosovë, pos Haradinajt, Veselit, Thaçit, Limajt, Pacollit-pacollëve e miqve të tyre sekserë, D. Gashi, A. Haraçisë, N. Dacit…nuk din askush nga qytetarët, se me cilin numër do të përfundojë përbërja e plotë e kabinetit qeveritar Haradinaj me kompani! Nuk e dimë ngase gara e balotazhit për kryetarë të komunave, më 19 nëntor, do të lë pa punë edhe disa nga bashkëpartiakët e Haradinajt, Veselit, Pacollit dhe miqve të tyre politikë.
Kështu vallë punohet për shtetin, interesin shtetëror dhe për mirëqenien e qytetarëve?! Me rehatim, punësim të tillë kursehet paraja publike dhe avancohen kauzat tuaja me të cilat inicuat dhe ef rrëzuat qeverinë, për të shpenzuar miliona euro për zgjedhjet e Ramazanit? Jo zotërinj, kësaj i thonë zhvatje keq qeverisje, keqpërdorim të buxhetit të shtetit dhe nëpërkëmbjes së durimit dhe ndjenjave të qytetarëve në Kosovë! “Suxhukët, dorëzan maçorrit, nuk ka shpresë për njerëzit”, thotë një fjalë e urtë popullore! Ndale Zot me të mira këtë avaz!