Qeveria e vendosur ta procedojë tutje Demarkacionin

03.08.2016 22:50:56
Qeveria e Kosovës nuk ka ndryshuar qëndrim për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, edhe pas debatit 12 orësh.
Në një njoftim për media, Qeveria e Kosovës ka shprehur mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit në debat. Qeveria konsideron se gjatë diskutimeve, kanë dominuar argumentet që konfirmojnë procesin e shënjimit të kufirit të Kosovës me Malin e zi, transmeton lajmi.net

“Procesi i shënjimit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi është bërë në përputhje me aktet kushtetuese e ligjore të Kosovës, si dhe në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira që kanë të bëjnë me kriteret dhe aspektet tjera të realizimit të këtij procesi”, thuhet në komunikatë.

Qeveria ka bërë me dije se është e vendosur që të procedojë tutje këtë çështje, duke paralajmëruar kështu dërgimin e Demarkacionit në Kuvend për ratifikim.

“Në përputhje me qëndrimet racionale dominuese në këtë debat, Qeveria e Kosovës, do të vazhdojë angazhimet e saj në procedimin e kësaj çështje më tutje”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Komunikata e plotë:

Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson lartë debatin e zhvilluar sot lidhur me procesin e shënjimit të kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.

Qeveria e Kosovës shpreh mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit dhe organizatorët e debatit për kontributin e tyre në këtë debat shumë të dobishëm për proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon vendi.

Qeveria e Kosovës, pas dëgjimit të çdo argumenti dhe fjale në këtë debat, vlerëson se në të ka dominuar argumentimi i cili konfirmon se procesi i shënjimit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi është bërë në përputhje me aktet kushtetuese e ligjore të Kosovës, si dhe në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira që kanë të bëjnë me kriteret dhe aspektet tjera të realizimit të këtij procesi.

Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh mirënjohje të posaçme për qëndrimet shumë të vlefshme të ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përfaqësuesit të BE-së.

Në përputhje me qëndrimet racionale dominuese në këtë debat, Qeveria e Kosovës, do të vazhdojë angazhimet e saj në procedimin e kësaj çështje më tutje.