QKUK DIGJITALIZON HYRJE-DALJET, “LIDHË” DOKTORËT PËR VENDET E PUNËS

11.07.2017 16:55:10

Punonjësit e QKUK-së do të furnizohen së shpejti me kartela identifikuese përmes të cilave do t’iu evidentohen të gjitha hyrje-daljet në vendet e tyre të punës. Çdo gjë do të monitorohet nga kamerat derisa përmes këtij tenderi për digjitalizim, zyrtarë spitalorë thonë se do të digjitalizojnë edhe laurat në hyrje-dalje të spitaleve, raporton rtklive.com

Alban Selimi / Prishtinë

 

Punëtorët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës nuk do të kenë mundësi të dalin nga Klinikat pa e mbaruar orarin e punës.

Kështu së paku pretendojnë udhëheqës të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), të cilët për të rregulluar respektimin e orarit të punës kanë shpallur një tender përmes të cilit gjitha hyrje daljet në Klinika dhe shërbime të QKUK-së do të evidentohen në mënyrë të digjitalizuar.

“Secila klinikë do të ketë sistemin elektronik të hyrje-daljeve”, ka thënë për rtkive.com, Shpend Fazliu, zëdhënës i QKUK-së.

Ai është shprehur se tashmë është shpallur fituesi i tenderit që do të mundësoj monitorimin e punës së stafit mjekësor por edhe punonjësve tjerë të spitalit.

Fazliu ka thënë se evidentimi i stafit mjekësor do të bëhet edhe gjatë kohës së pauzës por edhe gjatë kohës kur ata mund të gjinden për konsultë në repartin tjetër.

“Nëse mjeku shkon nga një repart apo klinikë në klinikën tjetër për një konsultë, atëherë evidentohet edhe në atë klinikë ku bën konsultën në mënyrë që dihet edhe koha e saktë kur është ofruar shërbimi mjekësor”, tha ai.

I pyetur nga rtklive.com, nëse stafi do të gjej mënyra që do të çnonin në keqpërdorimin e kartelave me të cilat ata do të identifikohen në hyrje-dalje, Fazliu ka thënë se do të ketë edhe monitorim.

“Do të vendosen kamera dhe çdo gjë do të jetë e monitoruar”, ka thënë Fazliu.

Ai ka treguar se përmes këtij tenderi, QKUK do të zgjidhë edhe problemin e parkingut. “Edhe laurat do të digjitalizohen”, ka thënë Fazliu.

Sipas tij, menaxhmenti do të shqyrtoj një afat kohor disa minutësh në të cilin hyrja do të jetë pa pagesë. Por, pas atij afati, qëndrimi do të paguhet sipas orëve.

“Pra, taksitë që mund të sjellin qytetarët apo ata qytetarë që vetëm sjellin një të sëmurë qoftë në emergjencë apo në ndonjë repart tjetër dhe nuk parkojnë veturat e tyre, do të shfrytëzojnë atë kohë optimal për të mos paguar. Kurse ata që parkohen brenda oborrit të spitalit do të paguajnë sipas orëve të qëndrimit”, ka thënë zëdhënësi spitalor.

Ai ka thënë se në këtë mënyrë nuk do të dëmtohen ata që hyjnë për disa minuta në oborr të spitalit. Por që ata që shfrytëzojnë oborrin e spitalit për parking veturash do të paguajnë për orët që do t’iu qëndrojnë veturat aty.