Rada Trajkoviq duhet të thotë se a u vra Oliver Ivanoviqi si Darko Ashanini?

15.02.2018 13:11:59

Nga Rexhep Kastrati

Vrasja e Oliver Ivanoviqit ka bërë bujë dhe vazhdon të bëjë bujë të madhe pasi që ka qenë një nga personalitetet kryesore të serbëve të Kosovës, por edhe një nga njerëzit kryesorë të zgjatimit të pushtetit serb në Kosovë, sidomos në veri.

Në një fejton të botuar më 2001, kam përmendur dy qendrat e vendosjes serbe në Kosovë: qendrën e vendosjes në veri, dhe qendrën e vendosjes në Graçanicë. Dhe personi kryesor që drejtonte qendrën e vendosjes serbe në veri ka qenë pikërisht Oliver Ivanoviq, i njohur për shqiptarët në veri për krimet ndaj tyre, për çka edhe është gjykuar dhe dënuar më vonë.

Në këtë cilësi, Oliver Ivanoviq që formalisht mbante ofiqin kryetar i Mitrovicës, kishte zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta me Bajram Rexhepin, i cili mbante ofiqin prefekt i Mitrovicës.

Prandaj, Oliver Ivanoviq ka qenë njeri që ka ditur shumë, por edhe protagonist i shumë ngjarjeve të rëndësishme.

Në këtë kuptim, që në fillim vrasja e tij tërhoqi vëmendjen edhe të opinionit botëror, dhe ishte e qartë se do të përmendej edhe në KS të OKB-së gjatë raportimit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Guiteres, për Kosovën.

Mirëpo, ajo që është vënë re që në fillim, është fakti se për herë të parë ka apsur një njëzëshmëri se Oliver Ivanoviqin e kanë vrarë serbët. Edhe vetë serbët e thoshin këtë, kurse gruaja e Oliver Ivanoviqit që ditën e vrasjes kishte thënë se e dinte kush e ka bërë këtë.

Tash del Rada Trajkoviq dhe thotë se Oliver Ivanoviq dy-tre ditë para se të vritej kishte informuar Vuçiqin dhe shefin e BIA-s, Gashiqin, se nga i vinte rreziku.

Dhe që këtu duhet kërkuar të vërtetën për vrasjen e tij, e cila për nga natyra mund të jetë e ngjashme me vrasjen e Darko Ashaninit, të vrarë më 30 qershor 1998.

Darko Ashanin ka qenë një ish-punonjës policie, e që më vonë do të jetë një nga kokat kryesore të narkomafias serbe që do të kryejë shumë punë të fëlliqura për DB-në.

Darko Ashanin, për shqiptarët njihet si një nga vrasësit e Enver Hadrit në Belgjikë, më 25 shkurt 1990.

Darko Ashanin është narkomafiozi serb që kishte krijuar një raport dhe një bashkëpunim të rregullt ndërmjet mafias dhe DB-së, për llogari të të cilës kishte kryer shërbime të ndryshme kriminale.

Darko Ashanin është vrarë më 30 qerhsor 1998 në lokalin e tij “Koleseum” në Beograd me snajper.

Edhe pse ka mbetur pa u zbardhur kjo vrasje, mendim i përgjitshëm është se ai është vrarë nga vetë shteti për ta eliminuar si dëshmitar për shumë krime mbrapa të cilave qëndronte DB-ja.

Gjithsesi kjo lidhet shumë me vrasjen e Enver Hadrit, për të cilën shteti belg kishte të dhëna dhe dëshmi të shumta kundër tij.

Gjykimi eventual i Darko Ashaninit do të mundësonte që të dilnin shumë sekrete të tjera shtetërore rreth vrasjes së shumë personaliteteve jo vetëm shqiptare në mërgatë.

Me këtë dua të them se edhe vrasja e Oliver Ivanoviqit mund të jetë një vrasje e përbashkët e BIA-s dhe e mafias serbe, e cila në Mitrovicë është shumë e fortë dhe ka një bashkëpunim të fortë edhe me mafian shqiptare që operon atje dhe në Çeki, por jo vetëm.

E kam thënë që në fillim se Oliver Ivanoviq mund të ishte dëshmitar në shumë krime të kryera, madje mund të ishte edhe dëshmitar edhe në Gjykatën Speciale. Po ashtu kam thënë se Oliver Ivanoviq ka mundësi që shumë sekrete të rëndësishme shtetërore të ketë përcjellë për agjensi të ndryshme sekrete. Tashmë shumica nga këto janë konfirmuar edhe nga vetë serbët, kurse bërja publike e informacioneve se Ivanoviq kishte informuar BIA-n, Vuçiqin dhe bashkësinë ndërkombëtare se nga i vinte rreziku, ka hapur edhe më shumë hapësirë për të hetuar, por edhe ka bërë më të ndërlikuar zbardhjen e kësaj vrasjeje.

Përfshirja e dy policëve serbë të Policisë së Kosovës në veri në prishjen e provave, e bën edhe më të qartë përfshirjen e strukurave serbe në Kosovë dhe në Serbi në këtë vrasje.

Në këtë kontekst, me të drejtë mund të shtrohet pyetja: a është vrarë Oliver Ivanoviq sikurse Darko Ashanin, si një bashkëpunim i BIA-s me mafian serbe për ta eliminuar, sikurse që e kanë eliminuar Darko Ashaninin?

Rada Trajkoviq, me siguri e ka përgjigjen për këtë pyetje, por vetëm ajo, dhe ajo që është tepër shumë me rëndësi të madhe dhe që hedh dritë mbi të vërtetën për luftën dhe paqen në Kosovë, ka të bëjë me mundësinë që Oliver Ivanoviq, ndër informacionet që mund të ketë dhënë edhe për bashkësinë ndërkombëtare, janë edhe lidhjet e mafias serbe me mafian shqiptare, ndër të cilët Nexhmedin Zeka “Luli”, Ismet Osmani “Curri” dhe bosë të tjerë të narkomafias shqiptare në veri dhe në Çeki, lidhjet e tyre me politikën në Kosovë, dhe kontrolli agjenturor i politikës shqiptare në Kosovë.

Prandaj, zbardhja e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, përkatësisht pengesat që po bëhen për zbardhjen e kësaj vrasjeje mund të lidhen me motive të forta jo vetëm kriminale, por edhe politiko-agjenturore që kanë të bëjnë me kontrollin serb të politikës në Kosovë, angzhimet e Serbisë për destabilizimin e Kosovës dhe avancimit të çështjes drejt ndarjes së Kosovës, apo krijimit të një “Republika Srpska” në Kosovë.