Rama: Shqipëri-Kosovë konsullata të përbashkëta, punë e madhe shumë se mërzitet ndonjë fqinj!

19.11.2016 18:42:29

Kosova dhe Shqipëria pritet të kenë konsullata të përbashkëta në disa shtete të ndryshme të botës.

Kryeministri Edi Rama tha se është bërë një projekt ku janë përzgjedhur disa shtete që në krahasim me vendet e tjera kanë më pak emigrantë shqiptarë, kështu, një konsullatë e përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë do t’i jepte atyre zgjidhje për shërbimet e kërkuara.

Gjatë bashkëbisedimit me emigrantë shqiptarë në Samitin e Diasporës që mbahet për herë të parë në Tiranë, Rama ju përgjigj pyetjes së një shqiptareje që u interesua se kur do të ketë një ambasadë të Shqipërisë në Australi, një vend me numër të vogël emigrantësh shqiptarë.

“Pse duhet t’i kemi të ndara ne dhe Kosova konsullatat, ë paguajmë dy palë detyrime, e pse të mos jenë ambasadat dhe konsullatat e Kosovës dhe të Shqipërisë në të njëjtën godinë? Projekti është që të kemi konsullatë të përbashkët Shqipëri-Kosovë, për të gjithë shqiptarët atje të gjejnë ndihmë atje. Do na mërzitet ndonjë fqinj do thonë e bashkuan këta Shqipërinë por punë e madhe shumë. Fqinjtë të lumtur me njëri tjetrin s’ka, ne e kemi provën me komshinjtë tanë”, u shpreh kryeministri Edi Rama.