Reagon Ramosaj: S’kemi ndërhyrë në zonën e Manastirit, punimet në rrugën Deçan-Plavë vazhdojnë

26.05.2018 19:15:53

Propaganda serbe kundër Kosovës ka vazhduar edhe sot. Kisha Ortodokse serbe ka lëshuar një komunikatë ku ka bërë të ditur se ka informuar institucionet ndërkombëtare, kinse për ndërhyrjen në zonën e mbrojtur të Manastirit të Deçanit.

Sipas Kishës Ortodokse serbe kjo ndërhyrje është bërë gjatë kryerjes së punimeve në rrugën Deçan-Plavë.

“Shkelja e këtij ligji, megjithë refuzimin e regjistrimit të tokës deçanase sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që para dy vjetësh, paraqet edhe një shembull flagrant të paligjshmërisë që e implementojnë institucionet e Kosovës”, thekson Dioqeza Rashkë-Prizren.

Por këto pretendime i ka mohuar kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj.

Ramosaj në një deklaratë për lajmi.net ka bërë të ditur se sot gjatë gjithë ditës së bashku me përfaqësues të KFOR-it ka qenë prezentë në vendin e ngjarjes.

Kryetari i Deçanit ka thënë se janë larguar disa gurë të cilët kanë qenë rrezik për qytetarët që kanë kaluar andej.

“Jo, realisht nuk është ndërhyrë në zonën e mbrojtur, për shkak se vetëm janë larguar disa gurë nga brezi i rrugës dhe nuk kam informacione të tjera. Punëkryesi ka hequr vetëm disa brixhe që kanë qenë me rrëshqitje të dheut për shkak me kalu me kamion dhe automjetet më lirë, pasi ka qenë rrezik edhe për qytetarët nga rrëshqitjet e gurëve. Vetëm ajo është bërë”, ka thënë Ramosaj.

Ai edhe një herë është zotuar se nuk do të ndërhyrjnë në zonën e mbrojtur pa pasur leje.

“Unë sot kam qenë në terren bashkë me KFOR-in dhe oganizmat e tjerë, dhe e kemi këqyr këtë rrugë. Dhe s’ka pasur asnjë telashe. Unë kam garantuar dhe kompania ka garantu dhe qytetarët e Deçanit garantojnë se nuk do të ketë ndërhyrje në zonën e mbrojtur pa pasur leje paraprake”, ka theksuar Bashkim Ramosaj për lajmi.net.

Ramosaj ka garantuar se nuk do të ketë ndërhyrje në këtë zonë pa marrëveshje me Këshillin për Zbatim dhe Monitorim të zonave të veçanta.

Sipas tij, punimet në ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë nuk do të ndërpritë. “S’ka arsye të ndërpritën punimet”, ka thënë Ramosaj.