Reagon Thaçi: Ftoj Listen Serbe ta votoj demarkacionin

22.02.2018 13:01:01

“Le të jetë kjo një ditë feste për qytetarët e Kosovës”, tha Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kërkuar nga të gjitha partitë politike që t’i dhënë epilog marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Sipas tij ratifikimi i marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, sot në Kuvendin e Kosovës, do të thyejë përgjithmonë izolimin e Kosovës.

“Sot, kur krejt bota është duke na shikuar, besoj thellë në vullnetin e të gjitha partive politike për të ratifikuar këtë marrëveshje, e cila krijon një dinamikë të re edhe në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Vota për ratifikimin e demarkacionit është votë për lirinë e lëvizjes së qytetarëve në zonën Shengen, është votë për Kosovën në Evropë”, ka thënë Thaçi.

“Prandaj, ftoj të gjitha partitë që të respektojnë vullnetin e të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike dhe religjioze, për të lëvizur të lirë”, vazhdon ai.

Ai në veçanti ka ftuar edhe Listën Serbe që të votojnë këtë marrëveshje, duke respektuar vullnetin e komunitetit serb në Kosovë.

“Në kohën kur Kosova ka hyrë në fazën e fundit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, Lista Serbe nuk ka asnjë arsye që të mos e ratifikojë këtë marrëveshje”, ka thënë presidenti. Le të jetë kjo një ditë feste për qytetarët e Kosovës dhe një ditë unifikuese e të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvend, ka qenë porosia në fund e presidentit.