Refuzimi i ministrit Hamza për rritjen e pagave hesht Kryeministrinë!

30.01.2018 19:15:24
Ministri i Financave, Bedri Hamza po refuzon të të zbatojë vendimin e kryeministrit Haradinaj, për rritjen e pagave ndaj anëtarëve të kabinetit qeverisës.

Burime të lajmi.net brenda qeverisë kanë bërë të ditur se një gjë e tillë po ndodhë pasi ministri Hamza po pret sqarimin e plotë ligjor në lidhje me këtë vendim.

Ky refuzim vjen një ditë pasi Agjencioni Kundër Korrupsion e cilësoi vendimin e qeverisë si shkelje ligjore.

E këtë vendim të AKK-së, qeveria sot gjatë ditës e cilësoi si të ndikuar.

Vendimi i Hamzës që të refuzojë procedimin e pagave me rritje për anëtarët e qeverisë, duket se i ka zënë në befasi këta të fundit.

Asnjëria nga zëdhënësit e qeverisë, apo këshilltarët e kryeministrit nuk po deklarohen për media.

Lajmi.net ka provuar të kontaktojë me këshilltarin për media të kryeministrit, Halil Matoshi, apo edhe me shefin e kabinetit, Avni Arifi.

Asnjëri nga këta të dy nuk e kanë hapur telefonin.

Redaksia ka tentuar të flas edhe me ministrin, zëvendësministrat apo edhe këshilltarët e Hamzës por që edhe këta të fundit nuk kanë pranuar të flasin.

Duket se ky vendim i Bedri Hamzës i ka zënë në befasi të gjithë.

Ndryshe, vendimi për rritje të pagave ishte marrë ditë më parë nga kryeministri Haradinaj.

Ky i fundit rrogën e tij e rriti në 2 mijë e 950 euro.