Reshitaj në Ditën e Tokës: Pasurinë shtetërore ta trajtojmë bashkërisht

22.04.2018 13:20:07

Në ditën Botërore të Tokës, pas mbjelljes së drunjve dekorues në Parkun e Qytetit në Rahovec, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, bashkë me kryetarin e komunës, Smajl Latifi, organizatat mjedisore, nxënës e vullnetarë, kanë marrë pjesë në pastrimin e disa deponive ilegale të mbeturinave dhe mbjelljen e 1500 fidanëve të pishave.

Me këtë rast ministrja Reshitaj tha se janë në Rahovec për ta pastruar dhe gjelbëruar këtë komunë, derisa shtoi se nuk do të ndalen derisa të pastrojnë dhe gjelbërojnë çdo cep të Kosovës. Për ta bërë këtë edhe në Rahovec, Reshitaj i premtoi përkrahje kryetarit Latifi.

Reshitaj i ka ndarë mirënjohje FSK-së për kontributin e saj në krijimin e një ambienti sa më të pastër.

“Ne vazhdojmë ta pastrojmë dhe gjelbërojmë gjithë republikën e Kosovës. Sot në ditën ndërkombëtare të tokës jemi në Rahovec ku së bashku me kryetarin e komunës, nxënës e profesorë të universiteteve të Kosovës, në mbështetje të organizatave për mbrojtjen e mjedisit, së bashku me FSK e policinë, jemi mobilizuar për ta pastruar dhe gjelbëruar komunën e Rahovecit. E falënderoj kryetarin për përkushtimin e tij qe ta pastrojë komunën. Do të na ketë përkrahje në çdo aktivitet të përbashkët i cili rrit cilësinë e jetës së qytetarëve dhe ndikon në mirëqenien e qytetarëve. Ne e kemi obligim që pasurinë shtetërore ta trajtojmë bashkërisht. Andaj jam shumë e lumtur që aktiviteti po vazhdon dhe nuk do të ndalemi derisa ta pastrojmë çdo cep të Kosovës”, tha ajo.

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi derisa e shpalli të hapur aksionin e pastrimit dha se shpreson që nuk do të mungojë përkrahja e MMPH-së, organizatave dhe qytetarëve.

“Ne vazhdojmë me pastrimin e ambientit, përkushtimi ynë do të jetë i fokusuar në mjedise të gjelbëruara. Unë e shpall të hapur aksionin për pastrimin e ambientit dhe gjelbërimin e mjedisit tonë. Shpresoj që përkrahja direkte e MMPH-së nuk do të mungojë, siç nuk do të mungojë as bashkëpunimi me OJQ-të lokale, nxënësit e shkollave dhe gjithë dashamirësit e mjedisit”, tha ai.

Luan Hasanaj nga organizata “Lets do it Kosova”, ka ftuar të gjitha organizatat të bëhen pjesë e këtij aksioni. Ai ka thënë se dita botërore e tokës duhet të jetë fillim i një qasjeje të re ndaj mjedisit. Hasanaj u shpreh se nuk do të ndalin aktivitetin derisa të mos ketë asnjë deponi ilegale në Kosovë.

“Do i ftoja të gjitha organizatat e shoqëritë civile ti bashkohen këtij vullneti dhe përfundimisht ta bëjmë Kosovën ashtu siç e duam. Pra lë të jetë dita e tokës si fillim i një qasje të re të të gjithë neve karshi mjedisit jetësor sepse nëse ne vet nuk kujdesemi atëherë s’kemi të drejt të presim nga të tjerët. Janë 1500 pemë që do te mbillen sot në Rahovec dhe mijëra të tjera që do të mbillen në tërë Kosovën. Në Rahovec është pastruar kjo deponi sot, me kryetarin jemi pajtuar që aktivitetin ta vazhdojmë deri sa të arrijmë që të mos kemi deponi ilegale të mbeturinave në Kosovë, por për këtë nevojitet ndihma e qytetarëve”.

Këto aktivitete u organizuan në bashkëpunim me organizatat mjedisore “Let’s Do it Kosova”, Regional Environmental Center (REC), Green Art Center (GAC) etj. Themeluesi i Ditës Botërore të Tokës është senatori amerikan Gaylord Nelson, i cili me qëllim që problemet e kësaj natyre të hynin në vëmendjen e politikanëve, në vitin 1962 propozoi që të bëhet kremtimi i ditës së planetit Tokë, propozim i cili më vonë mori edhe aprovimin e presidentit të atëhershëm të ShBA-së, John F. Kennedy.

Më 22 prill 1970 në ShBA u mbajt edhe manifestimi i parë më i madh ekologjik i këtij lloji, prej nga edhe doli ideja për shpalljen e kësaj date si Dita e Tokës.