Risi nga KSHZ: Çdo votues me fotografi në Listën zgjedhore

27.07.2016 12:14:11

Në drejtim të krijimit të besueshmërisë së plotë, risi në këto zgjedhje do të jenë fotografitë për çdo votues në Listën zgjedhore. Ditën e mbajtjes së zgjedhjeve çdo person që do të paraqitet për të votuar do t’i verifikohet fotoja në letërnjoftim apo pasaportë, me foton përkatëse në Listën zgjedhore të vendvotimit, njofton Koha.mk.

Komisioni Shtetëror Zgjedhor të martën në mesditë ka publikuar emrat e 39.502 votuesve të kontestuar nga Lista Zgjedhore, të cilët deri më 16 gusht duhet të paraqiten për t’u regjistruar si votues në njësitë rajonale të këtij institucioni dhe në zyrat e Drejtorisë për libra amë. Mbi 90 % nga kjo listë janë qytetarë shqiptarë, ku më të theksuara janë Tetova, Karposhi dhe Çairi.

Anëtari i KSHZ-së nga radhët e BDI-së, Subhi Jakupi, në një prononcim për gazetën Koha thotë se publikimi i kësaj liste do të vërtetojë qëndrimet e shumicës së anëtarëve të KSHZ-së se këto votues shqiptarë nuk janë votues fiktiv, por që gjatë kontrollit në terren dhe kryqëzimit të të dhënave janë vërejtur disa mangësi në identifikimin e tyre. Ai akuzon më bindje palën maqedonase se jo pa qëllim duan t’i paraqesin votuesit shqiptare si fiktiv para se të ndodhë regjistrimi i popullsisë.