Roger Federer shkruan historinë, kthehet “Numri 1” në moshën 36-vjeçare

16.02.2018 23:51:19

Tenisti zviceran Roger Federer ka mundur sot në mbrëmje 2-1 holandezin Robin Haase në çerekfinalet e turneut të Roterdamit (4-6, 6-1, 6-1). Por ky sukses i zviceranit është shumë i veçantë, pasi nga dita e hënë, Federer do të jetë zyrtarisht “Numri 1” në botë për meshkuj, duke u bërë tenisti më i vjetër në moshë që arrin këtë rezultat. Një arritje fantastike e Federer, që kap sërish majën e renditjes botërore në moshën 36-vjeçare e 6 muaj, duke kaluar në këtë klasifikim ikonën Andre Agassi (33 vjeç e 131 ditë).

Federer rikthehet “Numri 1” në botë pas më shumë se 5 vitesh (hera e fundit që ka qenë në krye të renditjes ka qenë 4 nëntori i vitit 2012). Ai parakaloi në renditje mikun e rivalin e tij Rafael Nadal, që tashmë ka zbritur në vendin e dytë.

Një ndeshje që nuk nisi mirë për Federer, që humbi setin e parë, por zvicerani nuk e la shansin të humbiste, ngre ndjeshëm nivelin dhe më pas dominon në fushë, duke fituar dy setet e tjera me shumë lehtësi me shifrat e njëjta 6-1, 6-1. “Jam shumë i lumtur për këtë rezultat, që rikthehem numri 1 pas kaq vitesh, në këtë moshë. Ka qenë një vit fantastik, rezultate që nuk i kisha imagjinuar. Ju falënderoj për mbështetjen, pasi ju më keni inkurajuar që të vazhdoj të luaj ende”, u shpreh Roger Federer në ceremoninë organizuar pas ndeshjes.