Rusia e Serbia po lobojnë fuqishëm kundër FFK’së: Rrezikohet suspendimi nga FIFA e UEFA

17.03.2020 13:50:13

Pavarësisht se është i dënuar me 9 muaj burg efektiv, Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, nuk e ka ndërmend t’i bindet vendimeve nga Gjykatat, teksa kjo mund t’i kushtojë shumë Kosovës dhe FFK’së,
Më 26 shkurt, Presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademit, iu vërtetua dënimi prej nëntë muajsh burg efektiv. Agim Ademi dhe Muharrem Rama ishin dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës për veprën penale të detyrimit në tentativë, në korrik të vitit të kaluar.

Kurse, më 26 shkurt dënimi iu vërtetua edhe nga Gjykata e Apelit, e cila i konsideroi si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe avokatëve mbrojtës.
Tani, Serbia është duke e shfrytëzuar maksimalisht këtë situatë duke lobuar kundër Kosovës, me preteksin se futbolli i Kosovës udhëhiqet nga një person i dënuar për krim, bazuar këtu në ato se çfarë po raportohet në Serbi.

Serbia (e ndihmuar nga Rusia) është duke lobuar në FIFA dhe UEFA kundër Kosovës, duke aluduar në rastin e Agim Ademit dhe se FFK udhëhiqet nga persona të kriminalizuar dhe që nuk vrasin mendjen për ligjin, persona që nuk respektojnë Statutin e FIFA’s dhe UEFA’s dhe që nuk njohin Kodin Etik të këtyre institucioneve kredibile.

Imazhi i mirë i futbollit tonë ka filluar të rrënohet pas aktgjykimit të plotëfuqishëm të Gjykatës së Apelit ndaj Agim Ademit. Ditë më parë në media është raportuar se FIFA ka kërkuar sqarim të situatës në FFK dhe se ky po vlerësohet si hapi i parë, para se të fillojnë sanksionet për FFK. Burimet e Gazeta Metros brenda FFK’së thonë se mundet që për shkak të kësaj, Kosova mund të këtë suspendim të përkohshëm deri në vendosje të ligjeshmerisë.

Kjo situatë do t’i mundësonte Maqedonisë Veriore një kalim në finale të ‘play-offit’ të Ligës së Kombeve dhe klubeve të Superligës së Kosovës mund t’iu ndalohet garimi në garat europiane. Për suspendim të FFK’së është duke lobuar shumë Serbia dhe në rast se do të këtë sukses vetëm për të bërë suspendim të përkohshëm, ky do të ishte suksesi më i madh se i gjithë ç’njohjeve të deritanishme të Kosovës që ka bërë Serbia.

Kujtojmë që legjenda dhe ish Presidenti i FFK’së, Fadil Vokrri, kishte arritur që Kosovën ta bëjë anëtare të UEFA’s dhe FIFA’s, por ende pa u bërë dy vite nga vdekja e tij gjërat kanë ndryshuar për të keq nga pasuesi i tij, Agim Ademi, i cili ka renditur skandalet e tij.
Ai fillimisht kishte larguar djalin e Fadil Vokrrit, Gramozin, më pas edhe zëvendës sekretarin e përgjithshëm, Arianit Ahmetin. Largime kishte pasur edhe tek stafi mjekësor ku ishin larguar Dr. Milazim Gjoci e Dr. Mehmet Maxhuni, me këtë të fundit që kishte pësuar sulm fizik nga Agim e Ademi e Muharrem Rama dhe se rasti ende ndodhet në Gjykatë. Gazeta Metro kishte raportuar ekskluzivisht edhe për këtë rast.

Përplasje Agim Ademi kishte dhe vazhdon të këtë edhe me disa nga klubet më të mëdha në Kosovë. Përfaqësuesit e këtyre skuadrave kishin dalur haptazi kundër veprimeve dhe mënyrës së udhëheqjës së FFK’së.

Pra, tani pas dënimit nga Gjykata e Apelit ndaj Agim Ademit, situata është rënduar tej mase në disfavor të futbollit tonë.