Sa më shpejt që të çlirohet nga miti për Kosovën, aq më shpejt Serbia do të gjejë paqen e brendshme dhe rajoni stabilitetin

21.09.2016 18:25:36

Nga Rexhep Kastrati

Shefi i Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq ka thënë në Graçanicë se fati i Serbisë është i lidhur më Kosovën, duke dëshmuar edhe një herë se Serbia nuk e ka ndërmend të çlirohet nga miti për Kosovën, me të cilin është frymëzuar vazhdimisht hegjemonizmi dhe shovenizmi serbomadh. Miti për Kosovën ka prodhuar regjime makabre, por edhe platforma për shfarosjen e shqiptarëve. E fundit është platforma e Akademisë  Serbe të Shkencave që mori përsipër ta realizojë Slobodan Milisheviqi. Gjatë asaj kohe, institucionet shkencore, intelektuale e kishtare ishin bërë bashkë fare hapur dhe thellonin urrejtjen ndaj shqiptarëve. Masakrat dhe gjenicidi ndaj shqiptarëve ishin rrjedhim i shovenizmit dhe hegjemonizmit serb ndaj shqiptarëve. Edhe pse bombardimet e NATO-s i dhanë fund masakrave dhe gjenocidit serb ndaj shqiptarëve, megjithatë nuk i kanë dhënë fund edhe mitit serb për Kosovën, nuk i kanë dhënë fund bashkimit të shkencës, intelegjencies dhe kishës serbe rreth këtij miti. Marko Gjuriq zgjodhi një kishë, një festë fetare për të kujtuar se Serbia nuk është çliruar nga miti për Kosovën. Dhe kjo është fatkeqësia e Serbisë dhe e rajonit, sepse e frymëzuar dhe e udhëhequr nga ky mit, Serbia vazhdon të jetë faktor destabiliteti në rajon. Edhe pse ka ndryshuar metodologji, por edhe diskurs politik, Serbia udhëhiqet nga bashkëpunëtorët e Milosheviqit që vazhdojnë të thonë gati si në kohë të tij: “Život damo, Kosovo ne damo!”, e të cilën tash e kanë kthyer: “Nuk do ta njohim kurrë Kosovën!”. Dhe kur thonë këtë kanë parasysh në strategjinë për përçarjen e shqiptarëve, e të cilën ka marr përsipër ta realizojë sekta okulte e Albinit, por në përgjithësi linja e Tiranës/Kretës dhe ajo udbasho-jugosllavokomuniste. Edhe pse që nga janari i vitit të kaluar ka pasur angazhime të mëdha për destabilizimin e Kosovës drejt një lufte vëllavrasëse brendashqiptare, e që është vetëm formë tjetër e angazhimeve të fundviteve ’90 të shekullit të kaluar dhe në vitet e para të këtoj shekulli, megjithatë këto angazhime do të dështojnë edhe falë mbështetjes së aleatëve tanë strategjikë në krye me SHBA-të. Megjithatë, për aq kohë sa nuk do të çlirohet nga miti për Kosovën, Serbia do të paraqesë rrezik për rajonin. Në këtë kuptim, Serbia e ka të lidhur fatin me çlirimin apo mosçlirimin nga miti për Kosovën, e jo me Kosovën. Sa më shpejt që të çlirohet nga miti për Kosovën, aq më shpejt do ta gjejë paqen e brendshme dhe rajoni do të jetë më paqësor dhe më stabil.