Samiti i Mekës: Pro Palestinës dhe kundër Iranit

01.06.2019 11:52:09

Organizata e Bashkëpunimit Islamik – OIC njoftoi të shtunën se dënon sjelljet ndërkombëtare që mbështesin pushtimin e Palestinës, si dhe vendimin e SHBA-së për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet i Izraelit.

Ky qëndrim ishte epilogu e një Samiti të OIC në Mekë, ku iu kërkua gjithashtu shteteve anëtare që të zbatojnë “masa të përshtatshme” kundër shteteve që lëvizin ambasadat e tyre në Jeruzalem.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se OIC do të refuzojë të pranojë çdo propozim për një zgjidhje paqësore, i cili “nuk do të jetë në përputhje me të drejtat legjitime e të patjetërsueshme palestineze”.

Ata gjithashtu theksuan rëndësinë e mbledhjes së ndihmës për buxhetin e qeverisë palestineze për të vazhduar punën.

Gjithashtu, në Samitin e Mekës OIC dënoiveprimet e Iranit në rajon.

“Sulmet me dron në stacionin e pompimit të naftës, të kryera nga grupe që gëzojnë mbështetjen e Iranit, jo vetëm për të kërcënojnë sigurinë e Arabisë Saudite dhe të Gjirit, por kërcënojnë dhe sigurisë detare dhe rezervat globale të naftës”, u tha në deklaratë.

Organizata gjithashtu dënoi “operacionet e sabotimit” kundër katër anijeve në ujërat territoriale të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Sipas deklaratës, këto sulme kanë rrezikuar sigurinë ndërkombëtare të trafikut detar.

Deklarata tha se OIC ishte i shqetësuar dhe për rritjen e islamofobisë në shumë pjesë të botës.

Organizata e përshkruan islamofobinë si “një formë moderne të racizmit dhe diskriminimit fetar”, i cili vazhdon të rritet në mbarë botën.

Në samitin në Mekë, Organizata për Bashkëpunim Islamik mblodhi 57 vende nga Afrika, Azia dhe Lindja e Mesme.