SBASHK-u paralajmëron grevë në kohë të pacaktuar, nëse Qeveria nuk reflekton

20.02.2018 11:23:28

Dy orët e para të mësimit nuk janë mbajtur në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës, pasi që mësimdhënësit u janë përgjigjur grevës së thirrur nga Sindikatës së Bashkuar Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).

Mësimdhënësit përmes këtyre veprimeve sindikale po kërkojnë që të zbatohet marrëveshja e nënshkruar në mes të SBASHK-ut dhe koalicionit qeverisës me 5 qershor 2017, veçanërisht po kërkojnë që në Kuvend të procedohet projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit për vitet 1990-1999.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka bërë të ditur se uniteti që kanë treguar mësimdhënësit në grevën njëorëshe kanë dhënë rezultatet e para.

Ai këto komente i bëri gjatë vizitës së tij në shkollën e mesme “Abdyl Frashëri” në Prishtinë.

Sipas tij, përmes këtyre veprimeve që po i ndërmarrin po luftojnë që statutin e merituar ta marrin ata që nuk janë më gjallë e që dhanë shumë për arsimim gjatë periudhe së okupimit.

“Ne po luftojmë më shumë se kurrë për çështjen e ligjit për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës për vitet e 1990 dhe ia kam thënë edhe kryeministrit ky angazhim i yni nuk është aq shumë për ne të gjallët, por po bëjmë më shumë për ata që nuk i kemi në mesin tonë e që kanë punuar në ato vite që së paku familjet e tyre të ndihen krenar me titullin që ia siguron ky ligj person i merituar për shtetësinë e Kosovës dhe për benifitet e merituara që na i sjell ky ligj”, tha ai.

Jasharaj bëri të ditur se është momenti i fundit që mësimdhënësve t’iu plotësohet kërkesa e tyre për ligjin e pagave dhe sigurimin shëndetësor.

Ai ka theksuar se nëse Qeveria nuk reflekton deri më 24 shkurt, mundësitë janë të mëdha për grevë me kohë të pacaktuar dhe protesta nga mësimdhënësit.

Një takim mes Jasharajt dhe kryeministrit Ramush Haradinaj është paralajmëruar sot në ora 15:00.

Vendimi për grevën SBASHK-u është marrë disa ditë më parë në një mbledhje të jashtëzakonshme për shkak të mos respektimit të marrëveshjes së nënshkruar në mes të kësaj sindikate së bashku me koalicionin aktual qeverisës.