Sëmundja e koronavirusit i hap telashe Interit dhe Juves

06.03.2020 13:11:45

Në Itali për shkak të përhapjes së koronavirusit federata e futbollit bashkë me drejtuesit e Serisë A po mendojnë që të zhvendosin ndeshjet. Por kjo mund të sjellë kaos tek skuadrat e kategorisë së më të mirave.

Për 2 ndeshjet e Kupës së Italisë, Juventus-Milan dhe Napoli-Inter është marrë vendim të shtyhen, por duket shumë e vështirë manovrimi i Federatës Italiane të Futbollit për të gjetur data të lira.

Dy ekipet që rrezikojnë ta ngarkojnë veten janë Juventusi dhe Interi. Derbi i Italisë mund të luhet në fundjavë, ndërsa bardhezinjtë më datë 13 mars do të sfidojnë Bolognan dhe më datë 17 është parashikuar sfida e kthimit, në Champions, kundër Lionit, dhe më pas, më 21 të po këtij muaji është përballja me Leçen.

Prilli gjithashtu pritet të jetë i ngarkuar për “Zonjën e Vjetër”, që do ta nisë muajin me transfertën e Genoas dhe nëse ka arritur të sigurojë kualifikimin, do të ketë edhe ndeshjet në Champions. Maji ofron të njëjtin problem, sfida kampionati, të Kupës së Italisë dhe në Champions.

Për Interin është i njëjti problem. Nëse do të sfidojnë Juventusin në fundjavë, zikaltrit më datë 12 mars do të përballen me Getefen në Ligën e Evropës.  Vetëm pak ditë më pas vjen dueli me Sasuolon dhe sfida e kthimit me Getafen. Marsi kompletohet me takimin ndaj Parmës. Nëse avancon në Europa League, njësoj si Juventusi, ngarkesa do të jetë e lartë. Për të dyja skuadrat duket shumë e vështirë që të gjenden data të lira për gjysmëfinalet e Kupës së Italisë.