Servet Pëllumbi zbardh dokumentin e Byrosë në ‘89: Ramiz Alia zbatoi Katovicën e Gorbaçovit

17.02.2019 00:33:37

Profesori i PS: PS e LSI të shkrihen në një parti.
Pëllumbi zbardh dokumentin: Alia zbatoi “Katovicën.
“Ramiz Alisë i kanë ardhur materialet në ’87 nga Gorbaçovi, e tha në Byro në 1989”
I ftuar në emision “Debat” në televizionin “Channel One” me gazetarin Roland Qafoku, ish-kryetari i Kuvendit Servet Pëllumbi zbuloi një dokument sekret të 1989-s që Ramiz Alia e kishte lexuar në mbledhjen e Byrosë Politike.
Sipas këtij dokumenti, që njihet si platforma “Katovica”, Pëllumbi tregoi se ishte Ramiz Alia që vendosi drejtuesit politikë të partive politike pas 1990, reformat për pronën dhe trajtimin e ish-të përndjekurve politikë…
Është folur gjatë që Ramiz Alia ka një rol të rëndësishëm në pluralizmin shqiptar, por dhe teori konspirative se ai ka zbatuar në Shqipëri platformën e partive të tjera komuniste të Lindjes, që njihet si platforma “Katovica”. Ju keni një koment për rolin e Ramiz Alisë?
Unë i jam përmbajtur gjithmonë tezës që Ramiz Alia ka qenë çelësi i të gjitha situatave që janë zhvilluar në Shqipëri. Ramiz Alia ka qenë në dijeni edhe për strategjinë e Katovicës së ‘87. Madje, në një pritje, në prezencë të ish-presidentit Moisiu e kam pyetur: “Të ka dërguar Gorbaçovi një material për Katovicën?”, sepse Ramiz Alia ka qenë në një periudhë me Gorbaçovin në shkollën e partisë. Më tha se erdhën disa materiale në atë kohë, por asgjë konkrete. Ai e mohonte të ketë pasur informacione për Katovicën dhe për materialin përkatës. Por, në të vërtetë ai ka qenë në dijeni të plotë dhe ka vepruar në përputhje me atë strategji. Dokumenti që po ju tregoj është një faksimile e një skeleti të fjalës së Ramiz Alisë në Byronë Politike.
Ka pasur edhe një përgënjeshtrim. Kanë thënë që nuk ka pasur një dokument të Katovicës. A është e vërtetë që ekzistojnë disa pika orientimi?
Ky dokument është shtruar në Byronë Politike dhe ndër të tjera unë po citoj disa pjesë. Ramiz Alia është mbështetur në materialin e Gorbaçovit dhe thotë: “Socializmi ka dështuar. Cila do të jetë strategjia jonë për kalimin në demokraci?”.
Ndër të tjera thotë: “Do të nxisim të krijojmë parti sa të duam, gjithsesi këto parti duhet kontrolluar nga ne”.
Dhe kështu u bë. Vijon Ramizi: “Në krye të tyre duhet të vendosen njerëz që të përkrahin strategjinë. Partia që do të marrë pushtetin do të shajë komunizmin me themel e me çati, në mënyrë që të fitojë simpatinë e perëndimorëve”.
Momenti i dytë është ai i përndjekurve politikë: “Të përndjekurit politikë, të dënuarit politikë, duhet të përkrahen, por kurrë nuk do të lëmë të marrin pushtetin, sepse ata sapo të marrin fuqinë do të hakmerren. Ne nuk mund të bëhemi hyzmeqarë të tyre”.
Problemi i tretë, lidhet me pronat: “Të shpronësuarve do t’u japim letër në dorë që t’u njihet prona, por asnjëherë nuk do t’ua japim. Pasurinë e kemi krijuar ne dhe na takon ne”.
Dhe moment tjetër. “Çdo gjë e kemi programuar, strategjinë e kini të gjithë të qartë dhe kemi caktuar rrugët për qëllimin e misionit tonë”. Dhe përfundimi është ky: “Me këtë strategji brenda dy apo tri legjislaturave, do të kemi ish-klasën komuniste në klasë kapitaliste”.
Pra realisht me këtë strategji të Katovicës është vepruar edhe në Shqipëri, megjithëse në Katovicë të Polonisë, delegacioni i Partisë së Punës nuk mori pjesë. Por realisht materiali ka ardhur…
Ndër të tjera, Ramiz Alia thotë se këtë material kam dy vjet që po e studioj. I ka ardhur në 1987-n dhe në tetor të viti 1989 ai e bëri publik në Byronë Politike si strategji të kalimit të Shqipërisë në demokraci. Dhe kujdestarët që do zbatonin këtë strategji i ka zgjedhur Ramiz Alia. Ka 23 vjet edhe çështja e të përndjekurve politikë nuk është zgjidhur, çështja e pronës po ashtu. Kush ka qenë në krye të vendit? 15 vjet Sali Berisha dhe 8 vjet Fatos Nano.
Kush janë “ne”, dhe kush është sot në pushtët?
Ne në atë kohë e kishte fjalën për komunistët.
Sot stafeta e Katovicës nga kush është marrë?
Stafetën e ka ai që edhe sot e kësaj ditë flet për bllokmenë, për larva të Bllokut. Pra është po ajo gjuhë që ka edhe Katovica. Ka ardhur koha që kjo spirale të ndërpritet dhe demokracia shqiptare të ecë në rrugë të mbarë.
A ka dualizëm mes Ramës dhe Metës në pushtetin e marrë më 23 qershor?
Ngacmimet e Berishës për dy kryetarët janë të zakonshme. Unë e quaj si diversion. Ata janë dy figura politike që janë në krye të dy partive kryesore në koalicionin. Kryetari i Kuvendit me Kushtetutë quhet figura e dytë në vend. Të dy këta kryetarë kanë postet kryesore në vend. Ka shumë faktorë që koalicioni i tyre është i frytshëm.
A e parashikoni jetëgjatë këtë koalicion?
Ai do të zgjasë derisa këto parti të shkrihen në një. Në nivelin e bazës, ai ka qenë faktori kryesor që këto dy parti ndodhen bashkë në fushatë. Po ai faktor mund të jetë që këto parti të bëjnë kongrese veç e veç, por edhe kongrese të përbashkëta. Sepse programi është i njëjtë, qeverisjen e kanë të përbashkët. Një qeverisje e frytshme ata do t’i afrojë dhe jo t’i largojë, siç mendon Berisha.
Me dy kryetarë?
Partitë kanë dy kryetarë dhe kur të behet kongresi zgjidhet një kryetar. Ne duhet të gjykojmë për këtë nivel që është sot. Prirja edhe botërore e partive është drejt unifikimit të partive.
Si e komentoni zëvendësimin e të vjetërve në PS me të rinjtë?
Unë në përgjithësi i përmbahem parimit se duhen harmonizuar brezat në parti e në qeveri. Edhe në rastin konkret një harmonizim i mirë duhej bërë. Por, kryesorja është që PS të ketë rolin e saj me të gjitha strukturat e saj që të jetë në mbështetje të reformave dhe të ketë rolin e saj kontrollues.