Shkup: Familjarët e viktimave revoltohen në morgun e Butelit, nuk u japin vërtetime

08.08.2016 16:34:26

Gati 40 orë pas përmbytjeve, familjet e 15 viktimave ende nuk mund t’i marrin trupat e familjarëve të tyre. Njerëzit që kanë humbur fëmijët, gruan, vëllezërit, motrat presin në dëshpërim nga një shkak i vetëm banal, pasi autoritetet nuk u japin letër mjekësore mbi shkaqet e vdekjes.

Brenga e dyfishtë që i gjeti këta njerëz, sipas deklaratave të tyre, ka të bëj me lëshimet që në fillim të hetimit, identifikimit dhe përcaktimit të shkakut të vdekjes nga ana e institucioneve kompetente.

Deri në këtë moment askush nuk ka ardhur t’i vizitojë para morgut të Butelit, ku presin leje dhe pse siç thonë ata vetë Prokuroria dhe Ministria e Shëndetësisë gjatë gjithë kohës ia hedhin topin njëra tjetrës, se cila duhet t’u japë një vërtetim mjekësor.