Shpend Ahmeti lavdërohet për punën që ka bërë: i kam mbajtur premtimet

29.08.2016 08:59:59

Kryetari i Komunës së Prishtinës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re” ka folur për zhvillimet aktuale në Komunën e Prishtinës, për akuzat që po ia bëjnë LDK-ja dhe PDK-ja për qeverisje në kryeqytet.

Në këtë intervistë Ahmeti tregon nëse do të jetë sërish kandidat për kryetar komune për zgjedhjet e ardhshme lokale. I pari i Prishtinës ka folur për bashkëpunimin që ka me presidentin, kryeministrin dhe kryeparlamentarin.

Po ashtu, Shpend Ahmeti ka folur për demarkacionin me Malin e Zi, për mënyrën e tejkalimit të këtij problemi. Ahmeti para protestës së 1 shtatorit, ku këtë ditë pritet të votohet edhe demarkacioni me Malin e Zi, ka një porosi edhe për Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limajn.

“Epoka e re”: Z. Ahmeti, ju ka mbetur edhe një vit për ta përfunduar mandatin e kryetarit të Komunës së Prishtinës. Sa keni arritur t’i përmbushni objektivat dhe pritjet e qytetarëve?

Ahmeti: Komuna e Prishtinës është institucioni publik më i monitoruari nga mediet dhe subjektet e tjera politike. Nëse i krahasojmë premtimet e dhëna me punën e bërë deri më tani, jemi të kënaqur sepse i kemi përmbushur gati të gjitha premtimet. Na ka mbetur edhe premtimi për furnizim me ujë 24 orë, i cili do të realizohet deri në fund të vitit.

Sa i përket transportit publik, tashmë është shpallur fituesi për autobusët dhe, pas nënshkrimit të kontratës, i kemi 90 ditë për të ardhur autobusët. Janë ndërtuar katër çerdhe të reja dhe deri në fund të vitit do t’i kemi edhe tri të tjera. Në Qendrat e Mjekësisë Familjare është përmirësuar shumë shërbimi. Kemi shtruar kilometra e kilometra rrugë si dhe kemi lidhur fshatra të ndryshme.

Me të gjitha këto Prishtinën e kemi sjell në rrugën e zhvillimit. Por, asnjëherë nuk duhet të jemi të kënaqur as ne dhe as qytetarët. Do të vazhdojmë të punojmë deri në arritjen e zhvillimit të plotë të Komunës së Prishtinës.