Shqipëri/Beteja Studentë-Kryeministri vijon, protestuesit: Nesër ngrihet gjithë populli!

14.12.2018 19:30:01

Dialogu është ai që mban larg protestuesit dhe kryeministrin Edi Rama, me këtë të fundit, që edhe pse shpreh dakordësinë për 8 kërkesat e studentëve, nuk i është përgjigjur ultimatumit të tyre për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme plenare të Kuvendit në orën 16:00.

Studentët vijojnë të mbeten në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” e prej aty kanë treguar këtë pasdite sinjale se nuk do të tërhiqen nga kauza e tyre, pasi afati ka skaduar për Ramën dhe ata i kanë bërë thirrje nëpër mediave gjithë popullit që nesër t’u bashkohet në një protestë mbarë kombëtare.

“Kemi bërë thirrje për një protestë kombëtare, sepse minutat që i dhamë Ramës mbaruan. Tani i bëjmë thirrje gjithë popullit që t’i bashkohet protestës tonë masivisht”, u shpreh një nga studentët për mediat.

Ndërkohë studentëve që janë vendosur poshtë zyrës së kryeministrit pritet t’u bashkohen sot një grup të rinjsh nga Miloti që janë nisur në këmbë pavarësisht shiut dhe aktualisht kanë arritur në Kamëz.

Ndërkohë në protestën e nesërme të studentëve pritet të ketë zëra nga të gjitha grupet e interesit, pasi ata nuk përjashtojnë që t’u bashkohen minatorët apo banorët e “Astirit”, pasi sipas tyre mjafton që qytetarët të kenë flamurin kombëtar dhe jo logot e partive.

“Për sa kohë i bashkohen kauzës sonë janë të mirëpritur. Ne nuk po luftojmë vetëm për veten, por për gjithë shqiptarët që janë shtypur nga ky sistem. Në radhë të parë i kërkoj ndjesë banorëve të Astirit, se ata që i ndaluan ishin persona të caktuara, me qëllime të caktuara, dhe krijuan kakofoni. I bëjmë thirrje të gjithë banorëve të na bashkohen, simboli i vetëm është flamuri kuq e zi. Në momentin se do të vijnë me flamurin shqiptar, do i mirëpresim. Ne kërkojmë mbështetje për këto kërkesa që kemi, ne nuk përjashtojmë asnjë, jemi këtu në orën 10 dhe po vuajmë”, u shpreh një student.

Sipas zërave nga protesta, nesër në shesh do të jenë përkrah studentëve edhe dhjetëra intelektualë për t’i mbështetur. Edhe ish-zv/ ministri i Arsimit Taulant Muka nxiti studentët të vijojnë protestën, duke i këshilluar që të pranojnë intelektualët.

“I sollët një shpresë qytetarëve. Pse i tremben vettingut në akademi.  Pranoni mes jush dhe intelektualë që të tregojnë si bëhet zgjidhja. Unë isha në ministrinë e Arsimit,  aty ka këshilltarë me plagjiaturë dhe pa diploma. Një nga ata këshilltarë që ju quajti ngelës mezi mbaroi shkollën 12 vite në Itali dhe mori doktoraturën. Fund presionit është koha ti japim zë intelektualëve dhe studentëve”, u shpreh Muka përpara turmës.

Ndërkohë në frontin përballë tyre, kryeministri Rama duket i vendosur për të mos lëshuar pe. Mbetet të shihet sesi do të vijojë kjo përplasje Studentë-Kryeministri, në një kohë kur edhe Buxheti2019 është rikthyer në Kuvend, pas refuzimit nga Presidenti Ilir Meta.