Shqiperi/ Kë do të mandatojë për kryeministër, partinë apo koalicionin? Meta: Prisni se do të ketë surpriza

05.03.2021 21:05:05

Presidenti Ilir Meta në konferencën e sotme për shtyp e ka lënë enigmë vendimin se kë do të mandatojë për postin e kryeministrit pas zgjedhjeve tëe 25 prillit, partinë e parë fituese apo koalicionin.

“Të mos paragjykojmë rezultatet e zgjedhjeve. Mund të ketë surpriza, duhet t’ua lëmë qytetarëve të Shqipërisë. Të shprehet e lirë, dhe të informohen të gjithë për figurat që përbëjnë krim zgjedhor, që u tha qartë edhe dje nga PE që nuk do të tolerohet”, iu përgjigj Meta pyetjes së gazetarëve se cili do të jetë vendimi, presidenti Meta la pezull përgjigjen e tij, duke iu shmangur asaj që përcakton Kushtetuta.

Më tej ai theksoi se “unë dua të jap një përgjigje parimore. Në këtë garë ka shumë koalicione dhe shumë forca politike. Nuk janë vetëm dhe jo vetëm tre. Rëndësi ka që qytetarët të nisen drejt kutive të votimit”.

“Vota është një mjet për të zgjedhur dhe për të ndëshkuar. Për mua është i rëndësishëm procesi që të jetë transparent dhe vota e qytetarit të jetë i barabartë. Do të informojmë edhe më tej edhe opinionin publik për të gjitha figurat që përfshihen te krimi zgjedhor se janë shumë figura. Do bëjmë çdo gjë për zgjedhje të ndershme. Jemi në kushtet kur ka një tension që është krijuar në kushte artificiale. Do bëjmë çdo gjë për zgjedhje të ndershme dhe për të ndëshkuar këdo që do të përpiqet të prekë një votë dhe të largojë Shqipërinë nga Europa. Mos besoni asnjë lloj propagande të gënjeshtërt. Qytetarët të mos ndikohen nga asnjë lloj presioni, as nga situata e vështirë në të cilën ndodhen mediat”, tha Meta.

Kushtetuta parashikon në nenin 96, pika 1 se “Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend”.

Dhe qëndrimi i Metës ngre dyshime për skenari të tjera, pasi ai mund të veprojë duke i cilësuar si koalicion më vete PD dhe LSI.

Nëse në mënyrë hipotetike pas zgjedhjeve të 25 prillit, PS ka deputetë më shumë se PD dhe LSI, por që dy partitë kanë më shumë se PS-ja, atëherë Meta mund të mandatojë këto dy parti për formimin e koalicionit, duke e anashkaluar mundësinë e dhënies së pari të drejtën e formimit të qeverisë PS-së. Në një kohë që këto dy parti nuk konkurrojnë së bashku në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Disa ditë më parë kreu i PD-së, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi firmosën një marrëveshje bashkëqeverisjeje, edhe pse nuk konkurrojnë në një koalicion politik nën një sigël, por të ndarë.

Kjo mund jetë edhe aryseja që këto dy parti nënshkruajtën një marrëveshje të tillë të ccuditshme, përpara zgjedhjeve parlamentare, në një kohë që një pakt i tillë sipas praktikave e precedentëve europiane ndodhin pas zgjedhjeve për t’u paraqitur si parti të një koalicioni.

Kushtetuta

Neni 96
1. Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend.

2. Në qoftë se Kryeministri i emëruar nuk miratohet nga Kuvendi, Presidenti emëron një Kryeministër të ri brenda 10 ditëve.

3. Në qoftë se edhe Kryeministri i emëruar rishtas nuk miratohet nga Kuvendi, brenda 10 ditëve Kuvendi zgjedh një Kryeministër tjetër. Në këtë rast Presidenti emëron Kryeministrin e ri.

4. Kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Kryeministrin e ri, Presidenti i Republikës shpërndan Kuvendin