Shqipëri/ Protestat/ Opozita paralajmëron surpriza “1 milion dollarëshe” për të enjten

19.03.2019 01:27:38

Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike, Çlirim Gjata ka komentuar në “Ora News” aksion opozitar dhe ka thyer qëndrimin hermetik të PD dhe LSI, duke zbuluar se me shumë gjasa do të ketë protestë të enjten para Parlamentit.

Ai gjithashtu ka paralajmëruar qeverinë për zbulimin e një skandali të ri që rëndon pozitat e Edi Ramës si kryeministër.

“Do të keni surpriza të tipit pyetje që vlejnë “1 milion dollarë’”, tha Gjata.

Për Gjatën, djegia e mandateve nga opozita bëri ndryshimin mes saj dhe mazhorancës.

“Më nuk jemi njësoj, nuk bën vaki. Pas 16 shkurtit u dorëzuan mandatet. Pati dhe tre protesta të tjera dhe erdhëm te protesta e djeshme. Në mënyrë simbolike u rrethua dhe kryeministria dhe parlamenti, ishte simbolika që këto dy institucione kanë rënë. Erdhi një dhunë nga policia me gaz lotsjellës, nuk ishte  e nevojshme. Nuk mund të vazhdohet më me këtë regjim. Protesta e 16 marsit ishte shumë më e madhe se 16 shkurtit”, u shpreh ai.

Duke komentuar mbylljen e protestës së 16 shkurtit pas vetëm 4 orë tubim, Gjata tha: “Nuk ka leje por njoftim që do bëhet protesta”.

“Duhet të shmangim një përplasje dhe dhunë. Pati një dhunë jo proporcionale nga ana e policisë. Nuk synojmë të hyjmë në parlament dhe as kryeministri, nuk kemi ç’i bëjmë muret”, theksoi ai.