Shqipëri/ QKK mbështet financiarisht katër filma të animuar

07.05.2018 23:15:13

Qendra Kombëtare Kinematografike do të mbështesë financiarisht katër prodhime të reja të filmit të animuar. Të hënën bordi I filmit të animuar pranë QKK I përbërë nga Besnik Shpata, Adrian Isufi, Alda Bardhyli, Suzana Varvarica dhe Helidon Haliti kanë vendosur ti japin dritën jeshile katër projekteve nga pesë që ishin në konkurrim. Një vit më parë kur ky bord vendosi të kthente sërish mbrapsht të gjitha projektet, duke kërkuar një analizë më të thellë të personazheve dhe Pitching me autorët.

Në takimin e realizuar pranë QKK ka pasur një bashkëbisedim mes bordit dhe autorëve që kishin sjellë projektet. Projektet që do të kalojnë në fazën e realizimit pas mbështetjes që do marrin nga QKK janë “Man wanted” më skenar e regji të Irida Zhonga dhe shtëpi kinematografike “FotoKozmos”, Kukulla me skenar të Erida Meti dhe regji të Artan Maku, shtëpia kinematofrafike “Maku sh.p.k”, “Aventurat e Lelos-Labirinthi” me skenar Marius Gace dhe regji Endrit Beqo, shtëpia Kinematografike “Cinemania” dhe “Një ndodhi në bregdet” me skenar të Kujtim Gjonaj dhe regji nga Bertrand Shijaku, shtëpia kinematografike “Bota shqiptare”. Prej vitesh ka një rënie të interesit ndaj filmit të animuar e kjo shihet dhe nga numri i projekteve që konkurrojnë për mbështetje financiare.

Por cilat janë historitë e filmave që do të realizohen? Më poshtë po tregojmë dy prej tyre. “Man wanted” kërkon t’i japë përgjigje pyetjes një milion dollarësh :Cila është frika më e madhe e njeriut? A) Angazhimi. Një tunel stacioni surreal i mbushur me postera që vijnë në jetë dhe të kërkojnë shpagim për të shkuarën tënde? Diku në botë, viti 1950. Stjuart është një djalë i ri I cili hyn në një stacion metroje të mbushur me postera dhe reklamime ku imazhet në to janë femra shumë të bukura. Duke zbritur shkallët, ai zhytet në një botë që nuk mund ta kontrollojë dhe e gjen veten të përfshirë në një trajektore të çuditshme që e çon në një ndjekje nëpër vagonë të boshatisur por plot me pëshpëritje dhe hije në stacionin gjysmë të ndriçuar. Ai përpiqet të largohet nga të gjitha gjërat që e ndjekin dhe e bëjnë atë të angazhohet; fytyrat e femrave në posterat që marrin jetë dhe i faniten, korniza që kërcënon ta mishërojë dhe ta ndalojë atë; një ndjekje edhe nga vet vetja e tij.

Një ndodhi në bregdet tregon këtë histori: “Ekipi i peshkatarëve së bashku me familjet, festojnë çeljen e sezonit të ri të peshkimit. Fëmijët luajnë të gëzuar buzë detit. Ata fillojnë të ndërtojnë kështjella prej rëre. Neritani, Goni dhe Sara (këta të dy janë binjakë) me kova e lopata bashkë vrapojnë gjatë bregut për të gjetur vendin e përshtatshëm për të ndërtuar kështjellën. Të rriturit drekojnë ndërkohë që kapiteni i peshkatarëve i servir pak kek gruas së tij, kurse Besiani, peshkatari më i vjetër i ekuipazhit propozon që ngarkesën e parë do t’ia dhurojnë jetimores së qytetit. Sara dhe Goni shkojnë për të kërkuar guaska pak më tej, ku ndodhet një shpellë, pasi atje mund të gjejnë guaska shumë të bukura. Neritani në breg sapo ka përfunduar kështjellën e tij prej rëre. Ndërkaq Sara dhe Goni brenda në shpellë ndjejnë që batica po vjen vrullshëm dhe ata hipin në një shkëmb sepse ka rrezik që uji të përmbytë shpellën.

Ata thërrasin për ndihmë. Papritmas Neritani i vogël ngre kokën dhe dëgjon zërat e tyre që kërkojnë ndihmë. Ai menjëherë shkon te peshkatarët dhe i kërkon atyre ndihmë. Njëri prej peshkatarëve merr motobarkën dhe së bashku me Neritanin shkojnë për të ndihmuar fëmijët e vegjël, i marrin ata në varkë dhe kthehen në drejtim të bregut, por pas pak çastesh motobarka fiket, nuk punon për shkak se i është mbaruar benzina. Besiani që e vështron ngjarjen nga bregu e kupton situatën dhe merr një gomone për të shkuar në ndihmë të motobarkës. Pas disa momentesh motobarka dhe gomonia kthehen në breg. Të gjithë janë të gëzuar, kapiteni i peshkatarëve përgëzon Neritanin e vogël dhe i jep atij titullin “Anëtar Nderi” i Shoqatës së Peshkatarëve. Të gjithë duartrokasin dhe përgëzojnë djaloshin e vogël.