Shqiptaret duan që Maqedonia të bëhet shteti i tretë shqiptar, tha Ivanov

18.04.2017 10:17:07

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov ka thënë se nëse ia jep mandatin për formimin e qeverisë së re Zoran Zaevit, ai do ta prishte pavarësinë e vendit, për shkak se sipas presidentit, do të formonte qeveri me një platformë të një shteti të huaj.

Sipas tij, qëllimi i Deklaratës së partive shqiptare është të barazojë gjuhën shqipe me atë maqedonase.

“Deklarata shqiptare do ta prishë Maqedoninë, nga ajo që e njohim deri sot dhe shtetit do t’i jep vetëm dy segmente duke e bërë Maqedoninë shtet etnik dhe fetar të ndryshëm. Humnera do të thellohet edhe më shumë. Qytetarët dyshojnë në qëllimet e atyre që e kanë përgatitur këtë Deklaratë. Sipas tyre, Maqedonia do të bëhet shteti i tretë shqiptar”, u shpreh Ivanov në një intervistë për gazetën kroate “Globus”, transmeton Klan Kosova.

Ivanov ka folur edhe për qasjen e tij ndaj bashkësisë ndërkombëtare, duke theksuar se kanë bërë disa gabime. Sipas tij, gabimin më të rëndë e ka bërë BE-ja, ndërsa për deklaratat e tij, tha se janë deklarata me interes për shtetin e Maqedonisë.