Sot nis numërimi i fletëvotimeve të ardhura me vonesë nga diaspora

01.11.2019 14:58:07

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë njoftuar se ka përfunduar procesi i vlerësimit të pakove me vota nga diaspora.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi për lajmi.net ka thënë se numërimi i fletëvotimeve të aprovuara do të fillojë sot në QNR në orën 17:00.

“Është përmbyllur procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, ndërsa numërimi i fletëvotimeve të aprovuara do të bëhet sot (e premte, 1 nëntor) në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve duke filluar në orën 17:00”, ka thënë Elezi.

Gjykata Supreme miratoi ankesën e LVV-së për numërimin e 4,639 fletëvotimeve të votuesve jashtë Kosovës, në zgjedhjet e 6 tetorit.

Në këtë vendim është anuluar vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i cili e kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e LVV-së për numërim.