Spitali i Gjakovës: I plagosuri në Marmull është jashtë rrezikut për jetë

13.03.2019 16:50:57
Mbrëmë në fshatin Marmull të Gjakovës ka ndodhur një ngjarje e rëndë me ç’rast një person është vrarë dhe një tjetër është plagosur.

Mbrëmë rreth orës 18:30 në fshatin Marmull të Gjakovës pas një konflikti pronësor ka ndodhu një vrasje dhe një plagosje, raporton lajmi.net.

I vrarë nga kjo ngjarje e rëndë ka mbetur Tunë Bezhi ndërkaq Anton Nikolla është plagosur.

Anton Nikolla është duke u trajtuar në repartin kirurgjik të spitalit të Gjakovës “Isa Grezda”, dhe se gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetë.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, mjeku i emergjencës së këtij spitali, Naser Lleshi.

“Gjendja e tij dukshëm është më mirë. Gjendja shëndetësore e tij është stabile dhe mbrëmë nuk e kemi parë të arsyeshme që operojmë pasi që është një çarje e lehtë e ashtit të këmbës dhe nuk ka pasur nevojë që të operohet. Vetëm me gjips e kemi mobilizua këmbën dhe është duke vazhduar tretmanin në repartin kirurgjik”, ka treguar Lleshi.

Ai ka hedhur poshtë raportimet se të Anton Nikollës i është përkeqësua gjendja.

“ E kam të konfirmuar nga kirurgu që mbrëmë e ka trajtuar dhe nga një ortoped se gjendja e tij është stabile”, ka treguar Lleshi.

Ishte Alfred Gjugja ai që dyshohet se ka shtënë me automatik në drejtim të Tunë Bezhi dhe Anton Nikollës.

Ndërkaq policia ka arritur që mbrëmë ta arrestojë të dyshuarin kryesor, Alfred Gjugja.