Sukses apo dështim? BE merr në kontroll kufijtë e Shqipërisë, e vërteta e FRONTEX

21.05.2019 18:25:30

Shqipëria është vendi i parë jo anëtar i BE që ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me BE për menaxhimin e kufijve dhe që nga sot në vendin tonë janë vendosur 50 oficerë të FRONTEX.  Oficerët e FRONTEX, do të jenë nga Gjermania, Çekia, Kroacia, Sllovenia, Holanda dhe Rumania, ndërkohë që numri do të jetë fleksibël në varësi të situatave. Kjo marrëveshje është parë nga qeveria si një sukses, ndërsa kryeministri Rama tha se ky është një element i qartë, por edhe shenjë vlerësuese e BE-së për Shqipërinë.

Pse vjen FRONTEX në Shqipëri, çfarë nënkupton marrëveshja?

Marrëveshja i lejon BE të koordinojë bashkëpunimin operacional me Shqipërinë për menaxhimin e kufijve të jashtëm të BE. Në fokus të bashkëpunimit është migrimi ilegal, flukset e migrantëve dhe krimi ndërkufitar.

Por cili është misioni i FRONTEX?

FRONTEX ka si mision kontrollin e kufijve, sekuestrimin e drogës, ndalimin e trafiqeve etj. FRONTEX (Frontières Extérieures- Kufijtë e Jashtëm) është një nga agjencitë e sigurisë së Bashkimit Europian, me detyrë ruajtjen e kufijve të jashtëm të vendeve të hapësirës Shengen si dhe menaxhimin e flukseve migratore jo të rregullta që synojnë vendet e hapësirës.

  • Kontroll i kufijve
  •  Sekuestrim armësh
  •  Sekuestrim droge
  • Luftë krimit ndërkufitar
  • Zbulim i dokumenteve false
  •  Bllokim i mallrave kontrabantë
  • Zbulimi i automjeteve të vjedhura
  • Zbulimi i trafikantëve të qënieve njerëzore

Reagimi i qeverisë

Qeveria shqiptare e quajti ardhjen e FRONTEX në Shqipëri një sukses dhe tregues i besueshmërisë së BE ndaj vendit tonë.

“Kjo  është një arsye e qenësishme për t’u ndjerë vërtetë krenarë që bëhemi pjesë e një projekti tejet të rëndësishëm  për Evropën. Arsyeja tjetër është personale”, deklaroi Rama.

Ministri Lleshaj e quajti ardhjen e FRONTEX urë komunikimi dhe hapje me BE.

“Fillimi i misionit të përbashkët shënoni një moment shumë të rëndësishme të Shqipërisë dhe bashkimit euriopian. Ky mision rrit sigurinë e kufijve tanë.  Çdo investim për siguri duhet të shtojë edhe më shumë lirinë. Rojet nga vendet e BE do të bashkëpunojnë me rojet tanë në të gjithë rolet e tyre. Nëse dikur këto kufij ishin izolim për vendin tonë, ata tashmë po shtrohen në ura komunikim tejet intensiv”, deklaroi ministri.

Reagimi i BE

Komisionerin Dimitris Avramopoulos, tha se misioni i FRONTEX në Shqipëri, është një etapë e re e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe BE-së.

“Ajo që ndodh në Shqipëri e Ballkan prek BE e anasjelltas. Siguria e qytetarëve është në qendër të vëmendjes tonë. Shqipëria është vendi i parë në Ballkan me të cilin BE po shkon para me këtë kapitull të ri. Është një hap i rëndësishëm që na bashkon më shumë. Duhet të jemi vigjilentë. Marrëveshja statusore, do na ndihmojë në këtë përpjekje. Këto janë elementë të rëndësishëm të bashkëpunimit. Lëvizja pa viza është një arritje madhore, që sjell të mira për të gjitha palët, ndaj duhet ta ruajmë si të tillë”, deklaroi Avramopulus.

Frontex, pritet valë refugjatësh?

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj, më 8 prill 2019 se ka informacione ” për qarkullimin përmes mediave sociale për përpjekjet e organizimit të një karvani refugjatësh nga Greqia drejt Europës”.

Ministri la të kuptohet që Shqipëria ka kapacitete të kufizuara për të pritur një fluks potencial refugjatësh që mund të kalojnë në Shqipëri përmes kufirit të saj me Greqinë kur vuri në dukje se: “Shqipëria ka ato kapacitete që ka dhe nuk mund t’i shtojë  sa herë që aktivizohen valë të tilla refugjatësh.” 

Nga ana tjetër, ish-drejtori i Kufirit, specialist për çështjet e sigurisë, Pëllumb Nako, ka deklaruar për panorama se mungesa e një marrëveshjeje me Greqinë për ripranimin e emigrantëve që vijnë nga vendi fqinj, rrezikon t’i grumbullojë ata në territorin tonë dhe të fillojnë procedurat e azilit me shpresë për të kaluar më vonë në vendet e BE-së.

Përfitimet e Shqipërisë

Shqipëria ka disa përfitime nga ardhja e FRONTEX. Përveç rritjes së sigurisë në pikat kufitare, ndalimit të trafiqeve, përfitimet që sjell marrëveshja janë mbështetja për ngritjen e kapaciteteve profesionale të Shqipërisë në një nivel të ri, si dhe mbështetje edhe logjistike. Oficerët që vijnë janë nga vendet anëtare të BE sjellin edhe automjete patrullimi, kamera termike, radarë, që do bëjnë një mbulim të gjerë të kufirit të Shqipërisë

Reagimet në rrjetet sociale

Ardhja e FRONTEX është parë në dy këndvështrime; një pjesë e publikut e sheh si sukses dhe rritje të bashkëpunimit me BE dhe një pjesë tjetër si dështim në ruajtjen e kufirit, ndalimit të emigracionit të paligjshëm, trafikut të drogës dhe armëve.