Sylejman Selimi nga burgu dërgon letër ngushëllimi për Adem Demaçin

27.07.2018 16:10:03

Ish-komandanti i UÇK-së, Sylejman Selimi përmes një letre të siguruar nga gazeta “Zeri”  ka shprehur ngushëllimet e tij për vdekjen e Adem Demaçit, shkruan “Zëri.info”.

Përmes kësaj letre ai ka përmendur edhe disa nga momentet që ai i ka kaluar së bashku me Demacin gjatë luftës ku Demaçi ishte edhe njëri nga përfaqësuesit e UÇK-së.

Ja letra e plotë e tij:

Me dhimbje të madhe mora lajmin e ndarjes nga jeta të simbolit të rezistencës dhe Përfaqësuesit politik të UCK-së Bacës Adem Demaçi. Bashkë me dhimbjen ndjej edhe krenari që e patëm Bacin Adem. Kur Adem Demaçin e takova në mes të flakëve të luftës në Drenicë e kuptuam edhe më mirë se përderisa Baca ishte në anën tonë, padyshim se edhe e drejta dhe fitorja ishte në anën tonë. Bashkë u përpoqëm dhe luftuam për liri, liri e cila shume luftëtareve iu mungon ende. Ai e diti dhe e dëshmoi se sa e shtrenjtë është liria kombëtare dhe njerëzore. Do të të kujtojmë përherë Baca Adem – krenaria e kombit shqiptar. Sylejman Selimi. Dubrave, 27 Korrik 2018