Tahir Rrecaj a është vetëm avokat i përbashkët, apo më tepër se kaq?

28.10.2016 23:27:28

Nga Rexhep Kastrati

Tahir Rrecaj është avokat, besoj i zoti, derisa e kanë angazhuar Hashim Thaçi, Fatmir Limaj dhe ndonjë tjetër. Mund të jetë edhe njeri me lidhje të forta edhe me gjykatës të ndryshëm. Përvoja e tij mund ta ketë bërë edhe të jetë në gjendje të ndërtojë strategji të forta për mbrojtje. Me fjalë të tjera, mund të jetë një avokat i kompletuar. Por të jesh avokat i Hashim Thaçit dhe i Fatmir Limajt, së pari duhet të kesh besimin e tyre, e që do të thotë të jesh njeri i besueshëm që di të ruajë sekrete. Dhe një avokat që di të ruajë sekretet e klientëve të tij, është avokat tamam. Dhe avokat Rrecaj duket se përveçse i kompletuar në aspektin profesional, mund të jetë i kompletuar edhe në kuptimin e besueshmërisë. Prandaj edhe është avokati që po e shoqëron Fatmir Limajn gjatë viteve nëpër procese gjyqësore. E në anën tjetër, avokat Rrecaj është edhe avokat i Hashim Thaçit. Nuk e di që kur avokat Rrecaj është avokat i Hashim Thaçit, por e di që as prishja publike ndërmjet tij dhe Limajt, nuk ka ndikuar që ndonjëri të heqë dorë nga shërbimet avokatore të avokat Rrecajt. A është avokat Rrecaj aq i zoti sa nuk i gjendet shoku, apo është aq i besueshëm sa që nuk ia tregon njërit sekretet e tjetrit, apo është më tepër se avokat? Në fakt, përveç punës së avokatit, avokat Rrecaj a mban ndonjë lidhje sekrete ndërmjet Hashim Thaçit dhe Fatmir Limajt? A mos është avokat Rrecaj më shumë se avokat?