Tahiri: E kemi detyrë që të punojmë për personat me aftësi të kufizuar

03.12.2017 20:35:25

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka thënë se Qeveria e Kosovës e ka obligim moral që të punojë për krijimin e kushteve më të mira, për personat me aftësi të kufizuar.

Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, ministri Tahiri tha se Ministria e Drejtësisë do të punojë me përkushtim për personat me aftësi të kufizuara.

Postimi i plotë i ministrit Tahiri:

Sot, më 3 dhjetor, në gjithë botën shënohet Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara. Kjo datë e ka karakterin e ndërgjegjësimit dhe vetëdijisimit të të gjithë neve, për të reflektuat nëse kemi bërë mjaftueshëm gjatë gjithë vitit për këtë kategori të shoqërisë, por njëkohësisht ditë për të festuar arritjen dhe kontributin e personave me aftësi të kufizuar. Janë mbi 1 miliard njerëz, ose reth 15 për qind e popullësisë së botës, që jetojnë me një formë të aftësisë së kufizuar. Reflektimi publik mbi këtë fakt duhet të shndërrohet në imperativ më shumë se asnjë herë tjetër.

Është detyrë e jona morale, obligim insititucional dhe përgjegjësi shoqërore, që të punojmë së bashku për krijimin e kushteve sa më të mira për përfshirje të plotë dhe të barabartë për të gjithë personat me aftësi të kufizuar, në një rend shoqëror gjithëpërfshirës me githë diversitetin e tij. Ministria e Drejtësisë do të mbetet e përkushtuar në funksion të zbatimit sa më praktik të të drejtave të personave me aftësi të kufizuar, me synim ndërtimin e një shoqërie pa barriera e me dyer të hapura për të gjithë.