Të hënën nis funksionalizimi i gjyqtarëve në veri, obligohen t’i respektojnë ligjet e Kosovës

03.11.2017 21:27:40

Nga e hëna gjyqtarët dhe prokurorët serbë të cilët janë betuar para presidentit Thaçi se do t`i shërbejnë gjyqësorit të Kosovës, do ta fillojnë punën në Gjykatën e Mitrovicës. Nehat Idrizi, kryesues i Këshillit Gjyqësor, për RTK-në sqaroi procedurat e organizimit të kësaj gjykate.

Gjyqtarët dhe prokurorët serbë të cilët janë betuar para presidentit Thaçi se do t`i shërbejnë gjyqësorit të Kosovës, nga e hëna e javës së ardhshme do ta fillojnë punën në Gjykatën e Mitrovicës. Në një intervistë, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor Nehat Idrizi, ka folur rreth organizimit të kësaj gjykate.

“Një numër i gjyqtarëve shqiptarë, serbë dhe komuniteteve tjera do të vendosen në objektin e ish-Gjykatës së Qarkut në veri. Këtu kryesisht do të jenë gjyqtarët e krimeve të rënda dhe të lëmisë penale, së bashku me stafin administrativ”, ka theksuar Idrizi.

Sa i përket integrimit të gjyqtarëve serbë në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor thotë se ata e kanë për obligim t`i respektojnë ligjet e vendit tonë.

“Përzgjedhja e tyre dhe të gjitha procedurat e tjera janë bërë në pajtim me ligjet e Republikës së Kosovës dhe ata do të punojnë me ligjet e Republikës së Kosovës”, ka shtuar Idrizi.

Po ashtu kryesuesi thotë se do të organizohen trajnime të ndryshme për t`i njoftuar ata me legjislacionin e Kosovës. Ndërkaq shumica e gjykatësve dhe prokurorëve serbë të dekretuar janë të pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës, ndërsa pjesa tjetër pritet që këto ditë të pajisen me to ashtu siç janë të obliguar me ligj.