Të martën seanca e demarkacionit

18.03.2018 16:03:44

Seanca për demarkacionin pritet të mbahet të martën. Por, ende nuk ka siguri se janë 80 deputetë që do të votojnë demarkacionin. Zyrtarë të pozitës kanë deklaruar se ende s’e kanë siguruar votën e Nait Hasanit. Madje, nuk kanë siguri as për votën e Vjosa Osmanit.

Të martën do të nisë seanca për demarkacionin por gjasat që të votohet në të njëjtën ditë janë të vogla. Kjo për shkak se ende nuk janë të sigurte se i kanë 80 vota për ta kaluar marrëveshjen.

Është raportuar se koalicioni ka siguruar të paktën 80 vota për të votuar demarkacionin, duke llogaritur gjithë votat e PDK’së, LDK’së, AKR’së, pakicave joserbe dhe të Donika Kadaj-Bujupit dhe deputetit goran, Adem Hodza, i cili është pjesë e Listës Sprksa.

Sidoqoftë, Këshilltari i Kryeministrit Haradinaj, Avni Arifi, ka thënë se beson se i kanë siguruar votat për demarkacion.

“Ne po besojmë se kemi me i mbërri 80 vota, pasi është interes i vendit, është interes madhor i vendit. Kosovës i hapet krejtësisht një perspektivë tjetër. Janë adresuar problemet të cilat ne i kemi pasur si shoqëri në lidhje me demarkacionin dhe besojë që është një hap shumë i madh për Kosovën dhe nuk ka asnjë arsye pse të dështojë dikush”, ka Arifi, për lajmi.net.

Burime të Express kanë treguar se nuk do të shkohet në votim pa i siguruar votat e Listës Srpska ose të 12 deputetëve të Grupit të Pavarur.

“Janë dy deputetë që nuk e kanë sqaruar pozicionin e tyre. Njëri është i PDK’së e tjetra e LDK’së”, ka thënë një zyrtar i Qeverisë së Kosovës.

Fjala është për Nait Hasanin e PDK’së dhe Vjosa Osmanin e LDK’së, e cila kishte dalë kundër demarkacionit kur marrëveshja ishte propozuar nga pushteti i kaluar.

Express ka provuar të kontaktojë me Osmanin dhe Hasanin, por asnjëri s’është përgjigjur thirrjeve telefonike.

Ditë më parë Hasani kishte konfirmuar se nuk ka qëndrim për demarkacion.

“Nuk kam qëndrim ende. Vota është individuale dhe nuk bëhet publike. Do të veproj në bazë të qëndrimeve të mija. Nuk dua edhe të deklarohem se a do ta votoj apo jo, kjo pasi vota do të jetë e fshehtë”, kishte thënë deputeti Nait Hasani

Sidoqoftë, edhe PDK, edhe LDK kanë thënë se janë unike në votimin e demarkacionit.

Por, burime brenda Qeverisë kanë thënë se Kryeministri Haradinaj nuk e ka në plan të fusë në votim demarkacionin pa siguruar votat e Grupit të Pavarur ose të Listës Sprska.

Demarkacioni me Malin e Zi është kushti i fundit i Kosovës për t’i plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave.

Marrëveshje është nënshkruar më 2015, por s’është raitifikuar pasi AAK e VV kishin kundërshtuar me idenë se nga ky pajtim Kosova po humbte tokë.

Me ardhjen e Haradianjt në krye të Qeverisë është arritur edhe një marrëveshje e re ndërmjet Presidentit të Kosovës dhe atij të Malit të Zi. Janë zotuar se do të bëhen korrigjime nëse gjenden fakte se ka pasur humbje të tokës nga ndonjëra palë.

Vetëvendosje e ka kundërshtuar edhe këtë marrëveshje dhe nuk ka pranuar të japë votën. Qëndrim të njëjtë kundërshtues kanë dhënë edhe deputetët e pakicës serbe, Lista Srpska.