Trafiku i narkotikëve/ Vritet brutalisht shqiptari në Ekuador dhe gruaja e tij

18.03.2018 20:10:12

Është egzekutuar me tre plumba një shqiptar dhe gruaja e tij. Ngjarja e rëndë është raportuar edhe nga policia. Shtetasi shqiptar nga Mali i Zi, Fadil Kaçaniq, 64-vjeçar dhe bashkëshortja e tij Fatima 63 vjeçe, janë vrarë në Ekuador, shkruan Portali “RTCG”.

Portali “Eltelegrafo” shkruan se, Kaçaniqi është vrarë me të shtëna nga arma e zjarrit, gjersa bashkëshortja e tij është vrarë me goditje të sendit të fortë në kokë.

Sipas informatave jozyrtare të medieve Kaçaniq u likuidua me tre plumba nga pistoleta.

Mediet thonë se, Kaçaniq për shkak të trafikut të lëndëve narkotike ishte disa vite në burg, gjersa ishte i akuzuar edhe për grabitje.

Pak kohë më parë u lirua dhe po kryente dënimin me kusht.

Në vendngjarje u gjetën gjurmët balistike dhe guri për të cilin dyshohet se është shfrytëzuar si armë, për ç’arsye dyshohet se viktimat janë vrarë te vendi ku u gjetën.

Siç transmeton portali ekuadorian “Extra”, vrasësit u prezantuan si policë, duke treguar urdhërin e rrejshëm për kontroll.

“Menduan se kanë kryer krim të përsosur, por i regjistruan kamerat e vendosura në pronë”,- theksoi prokurori Viktor Gonzales.

Gjenerali policor Marçelo Tobar, theksoi se, Kaçaniqi kishte dosje kriminale për shkak të trafikut të lëndëve narkotike, gjersa gruaja e vrarë punonte në aeroportin “Zhoze Zhakin de Olmedo”.

Kjo nuk është vrasje e thjeshtë, dyshojmë në lidhshmërinë me krimin e organizuar”,- tha ai, ndërsa transmeton portali ekuadorian “Extra”.