Trajtimi i çrregullimeve mendore në repartin e psikiatrisë në Prizren pa prezencën e psikologëve!

19.07.2018 02:54:20

Nga: Thëllëzë Kastrati

Edhe në Kosovë, si në shumë vende tjera më të zhvilluara, ka ngatërresa në zgjedhjen e profesionistëve të shëndetit mendor. Pra njerëzit nuk dinë se cila është adresa e duhur për problemet e ndryshme me shëndetin mendor. Më të zakonshme janë ngatërresat mes psikologut klinik dhe psikiatrit.

Sipas Mental Health America,

  • Psikologu klinik është psikolog me doktoraturë (në disa vende dhe master në shkenca) në psikologji nga një program i akredituar në psikologji. I trajnuar të bëjnë diagnostifikimin dhe psikoterapitë individuale dhe grupore.
  • Psikiatri është mjek me trajnim special në diagnostifikimin dhe trajtimin e sëmundjeve mendore e emocionale. Psikiatri mund të jep medikamente, por ai zakonisht nuk këshillon pacientët.

Por psikiatri dhe psikologu klinik zakonisht punojnë bashkë, sipas EFPA-së për shkak se fokusi i psikiatrit kryesisht është në çrregullimet me çekuilibër kimik, të cilin ata e trajtojnë me medikamente, ndërsa fokusi i psikologut janë mendimet, ndjenjat dhe shëndeti mendor i përgjithshëm i pacientit.

Si i tillë, psikologu nuk mund të trajtoj i vetëm rastet të cilat për bazë kanë çekuilibër kimik, dhe duhet të bashkëpunoj me psikiatrin. Rastet e tilla duhet të mbajnë psikoterapi javore me psikologun, dhe vizita një herë në muaj ose më rrallë te psikiatri me qëllim të shihet efekti medikamenteve apo kundërefekti i tyre, nevoja për të shtuar ose pakësuar dozën, nevoja për të ndryshuar medikamentet etj. Nëse psikologu trajton rastet e tilla pa bashkëpunim me psikiatrin thyen parimin kryesorë të punës së tij, të mirën e klientit, për shkak se rrezikon jetën e klientit.

Por kjo nuk do të thotë se rastet mund të trajtohen nga psikiatri pa ndihmën e psikologut, për shkak se sado që disa çrregullimet mendore mund ti arsyetojmë me çekuilibër kimik, ato kanë probleme me të menduarit, sjelljen dhe emocionet, probleme të cilat shkaktojnë mospërshtatje dhe prishje të funksionimit të individit, dhe si të tilla nuk mund të trajtohen me medikamente, por me psikoterapi.

Por cila është pasoja e trajtimit të pacientëve vetëm nga psikiatri?

Teorikisht në këtë pjesë mund të flisnim për mosmjaftueshmërinë e medikamenteve në trajtimin e çrregullimeve mendore, për vartësinë që krijojnë medikamentet, për tolerancën dhe nevojën për shtimin e dozës, efektet negative që në këto medikamente janë mjaft të dukshme etj. Por pasi që në repartin e psikiatrisë në Prizren veqse po praktikohet kjo metodë, do e sqarojmë nga rastet praktike dhe gjendja e pacientëve të cilët po trajtohen vetëm me medikamente.

Pra, nëse ke një çrregullim mendor në Prizren të paktën dilemën psikologu apo psikiatri nuk e ke.

Në repartin e psikiatrisë do të trajtohesh nga psikiatri, i cili do të diagnostifikoj, dhe do të filloni me medikamentet që do tu përshkruaj. Çfardo çrregullimi që do të keni, medikamentet nuk do të jenë të mjaftueshme. Ju mund të ndjeni lehtësim të gjendjes për shkak të përdorimit të tyre, por gjendja juaj nuk do të përmirësohet. Ju përsëri nuk do të keni mundësi të ktheni jetën tuaj, të bëni gjërat që keni bërë më herët, të keni të menduarit që keni pasur më herët, ndjenjat dhe emocionet, sjelljet në raport me të tjerët dhe veten. Por një pjesë tjetër e rëndësishme është edhe trajtimi i të tjerëve, të cilët me të kuptuar që keni një çrregullim mendorë do fillojnë të sillen ndryshe me ju, në fillim do të përpiqen t’ju ndihmojnë duke kërkuar ndihmën e profesionistëve, por me kalimin e kohës do të dorëzohen, për shkak se gjendja juaj vetëm do të përkeqësohet. Medikamentet të cilat me udhëzimin e psikiatrit duhet ti përdorni një herë në muaj, do ti përdorni disa herë, do e rrisni vetë dozën e të gjitha medikamenteve të tjera, për shkak se do të keni nevojë të ndjeheni më mirë, dhe është e kuptueshme, të gjithë kemi nevojë të ndjehemi mirë, por të afërmit dhe profesionistët që ju trajtojnë nuk do ju kuptojnë, do ju gjykojnë e qortojnë për këtë, edhe pse realisht kjo është rruga e vetme të cilën ata ua kanë ofruar.

Çrregullimi i thjeshtë të cilin mund të keni pasur, me shumë mundësi do ju rëndohet ose shoqërohet edhe me një çrregullim tjetër. Efektet negative të medikamenteve të cilat po i përdorni me dozë të lartë do të rriten. Nuk do e njihni më veten. Do të ndjeheni të lodhur me një jetë të tillë, do të ndjeheni se i keni lodhur edhe profesionistët me të njëjtat ankesa për të cilat nuk po gjeni zgjidhje, dhe do të ndjeheni të lodhur me qortimet e tyre të pavenda, do të ndjeheni se i keni lodhur familjarët tuaj të cilët përballen me ankesat tuaja, problemet me mënyrën tuaj të të menduarit, me emocionet që shpesh i përjetoni pa vend, me sjelljet e gabuara ndaj të tjerëve dhe vetes, si dhe me pamundësinë që edhe ata të kenë një jetë si të gjithë të tjerët pa u shqetësuar dhe pa ju pasur ju barrë. Në këtë situatë do të vendosni të vetëvriteni, do e shihni këtë si zgjidhjen e vetme që ju ka mbetur, dhe realisht, me ato që po përjetoni dhe me mundësitë që kjo metodë trajtimi ju jep për përmirësim, nuk ju fajësoj dhe aq.

Pra, një çrregullim sado i lehtë me trajtim jo të duhur rrezikon jetën tuaj.

Andaj trajtimi i duhur i personave me çrregullime mendore është i domosdoshëm, dhe është i pamundur pa përfshirjen e psikologut. Institucionet shtetërore duhet të jenë dyfish të kujdesshme në trajtimin e personave me çrregullime mendore, për faktin se në atë gjendje personat nuk mund të vendosin për trajtimin e tyre, por vetëm do të marrin atë që u ofrohet, pa pasur mundësi të gjykojnë nëse është apo jo trajtim i duhur.

Prezenca e psikologëve në repartin psikiatrik në Prizren është e domosdoshme, dhe duhet të jetë hapi i parë që merret për një trajtim më të mirë të personave me çrregullime mendore.

Më shumë se përgjegjësit e këtyre institucioneve, të turpëruar duhet të ndjehen profesionistët që po punojnë në këto institucione pa prezencën e psikologëve. Duke e ditur se pa trajtim nga psikologu pacientët nuk mund të marrin trajtimin e duhur, profesionistët e tjerë nuk po punojnë për të mirën e pacientëve të tyre, por vetëm për interesa personale, duke rrezikuar jetën e pacientëve./fokusi.org/