“Trampa” me tokat shqiptare

26.08.2018 09:16:37

Nga Sevdail Hyseni

Duke u marrë, gjithnjë, me idenë e korrigjimit të kufijve, për t’i ikur shkëmbimit të territoreve, historian serb, Milan St. Protiq, ish Ambasador në SHBA dhe dikur kryebashkiak i Beogradit dhe drejtues i partisë Demokratike të Serbisë, paska ofruar një tjetër opsion “shkëmbim popullatash: serbët e veriut të Kosovës të zhvendosen në Luginë të Preshevës, e shqiptarët e Luginës të vendosen në veri të Kosovës”.

Për të promovuar idenë e absurditetit të shkëmbimit të popullatava në vend të territoreve, historian Protiq, merr një shembull nga e kaluara kur “grekët dhe turqit kanë shkëmbyer 2.5 milionë njerëz, ndërsa këtu bëhet fjalë për rreth 150 mijë shqiptarë e serbë”, duke mos thënë asnjë fjalë rreth marrëveshjeve sekrete në mes Turqisë dhe ish Jugosllavisë, për zhvendosjen e mijëra familjeve shqiptare nga viset autoktone deri në Nish.

Një duhet ta ketë të qartë historiani serb Protiq dhe protiqët e tjerë që merren me politikë se koha e “Llogaritjeve pa Hanxhiu”, duke bërë “Trampa” me tokat shqiptare ka marrë fund. Tani po frynë një erë e re në Ballkan, ku shqiptarët si komb janë vetëdijesuar dhe kanë miq të fortë në realizimin e ëndrrës së kahmotshme  në rrugën e proceseve integruese euro-atlantike.

 

.