Tregtia ilegale me barna

01.12.2016 13:50:13

Në Komunat Veriore tregtojnë barna pa licencë gjithsej19 kompani farmaceutike. Ato kryejnë punë ilegale, duke futur në tregun e Kosovës barna me përmbajtje të dyshimtë. Krejt kjo po bëhet në dijeni të Qeverisë se Kosovës.

Në një raport të hartuar nga Qeveria e Kosovës, të cilin e ka siguruar Gazeta Fjala, thuhet se këto kompani është dashur të licencohen qysh vitin e kaluar, përkatësisht me 31 maj 2015.

Por, kjo nuk ka ndodhur. Derisa të njejtat vazhdojnë ta ushtrojnë veprimtarinë ilegale duke futur në Kosovë barna pa kontroll, shkruan Gazeta Fjala.

“Çështja që mbetet e pazgjidhur është licencimi për 19 kompanitë farmaceutike nga komunat veriore. Ky proces është dashur të përfundojë deri më 31 maj 2015, por megjithatë,vetëm 8 prej këtyre kompanive kanë aplikuar dhe janë licencuar gjatë vitit 2015 dhe një tjetër gjatë vitit 2016”, thuhet në raportin e Qeverisë “Mbi Gjendjen në Zbatimin e Marreveshjeve të Brukselit”.

Ndërkaq, derisa Qeveria se paku është në dijeni për këto kompani, institucionet përgjegjëse që merren me këtë punë si Agjencia për Pajisje dhe Produkte Medicinale dhe Inspektorati farmaceutik, as që kanë informata.

Agjencia për Pajisje dhe Produkte Medicinale, i ka larguar të gjitha kompetencat nga vetja, kur është pyetur për operimin e kompanive pa licencë në Komunat Veriore.

“Këto pyetje duhet t’i drejtoni në Inspektoriatin Farmaceutik të Ministrisë së Shëndetësisë”, ka thënë shkurt Pranvera Behrami, zyrtare për informim në AKPP.

Por njejtë nuk thotë raporti i Qeverisë.  Sipas tij, për këto punë është përgjegjëse vet Agjencia për Produkte Medicinale.

“Agjencia e Kosovës për Produkte Medicinale, i cili është autoriteti për licencim, ka njoftuar se 11 kompanitë tjera nuk kanë aplikuar ende”

Inspektoriati Farmaceutik në terr informativ

Njësoj si AKPP edhe Inspektoriati Farmaceutik, nuk shihet se ka ndonjë informacion, për operimin e këtyre kompanive.

Në përgjigjet që Gazeta Fjala, ka marrë nga Inspektoriati, shihet se ka hedhur poshtë të gjitha të gjeturat e Qeverisë.

“Të gjitha subjektet e licencuara pranë AKPPM-së janë në planin tonë inspektues, kurse sa u përket atyre të palicencuara IF nuk ka ndonjë të dhënë  konkretë ,ankesë, informatë ose ndonjë document të të ekzistuarit të operatoretorëve të  tillë ilegal)  për operim ilegal të këtyre kompanive”, thuhet në përgjigjet që Inspektoriati ka dhënë për Gazetën Fjala.

Ndërsa sipas tyre, në momentin që hasen parregullsi të tilla do të veprojnë konform ligjit, duke u arsyetuar se procesi është i vështirë, përshkak kohës dhe sigurisë.

“Në momentin që IF has në subjektë të tilla në ndonjë rast të tillë do të vepron  konform legjislacionit në fuqi edhe pse hulumtimi për ndonjë subjekt ilegal është shumë i vështirësuar për arsye se nevojitet kohë, logjistikë dhe siguri, në veçanti për pjesën veriore të Kosovës”, thuhet më tej në përgjigjen që Gazeta ka marrë nga Inspektoriati Farmaceutik.

Ndërsa thuhet se vetëm prej janarit të këtij viti, autoritetet e Kosovës kanë lëshuar 26 certifikata të autorizimit të marketingut për kompaninë Hemofarm AD, nga Serbia.

“Në procedurë të kontrollimit vlerësimit të kërkesave (aplikacioneve) janë rreth 34 aplikacione për produkte farmaceutike (9 produkte të kompanisë farmaceutike Hemofarm AD, Serbi dhe 20 produkte të kompanisë Galenika a.d, Serbi”

Ndërkohë prezenca e barnave serbe në Kosovë, sipas rrugëve zyrtare, tregon se Kosova ka importuar mbi 3 milionë euro barna nga viti i kaluar deri tash. Mbi 1 milion euro barna të importuara nga Serbia janë të llojit antibiotik.