Tentativë për terrorizëm?! Mes rrëfimeve në Kosovë, “celulës” në Shqipëri dhe skenarëve të “zmadhuar”

15.11.2016 12:41:55

Ata kanë rrëfyer planin për të sulmuar stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, fillimisht me eksploziv e më pas me armë zjarri. Mbi bazën e përgjimeve, është ndërtuar gjithashtu edhe skema sesi do të goditej kombëtarja Izraelite

 

Pas 11 arrestimeve të kryera mes Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë për çështje terrorizmi, dy nga të dyshuarit kanë pranuar dje të flasin e të kthehen në bashkëpunëtorë të drejtësisë. Burime nga Krimet e Rënda deklaruan se janë informuar nga homologët e tyre në Kosovë, se dy nga të dyshuarit kanë rrëfyer planin e tyre për të sulmuar stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, fillimisht me eksploziv e më pas me armë zjarri. Mbi bazën e përgjimeve, është ndërtuar gjithashtu edhe skema sesi do të goditej kombëtarja Izraelite. Ky sulm do të kryhej gjatë mbërritjes së futbollistëve izraelitë, ndërkohë që grupi i të dyshuarve në Shqipëri do të ishin pjesa mbështetëse e terroristëve. Krahas përgjimeve, dëshmitë e tyre, janë një tjetër provë fajësie ndaj të akuzuarve për kryerjen e veprave me qëllime terroriste dhe nxitje të urrejtjes fetare, ku katër prej tyre, imami i vetëshpallur Xhezair Fishti, mjeku Bekim Protopapa, berberi Ergys Faslia dhe Medat Hasani po mbahen në qelitë e paraburgimit. Pasi është vënë në dijeni të këtij informacioni, Prokuroria e Krimeve të Rënda do t’i dërgojë letër-porosi Prokurorisë Speciale në Kosovë për t’i marrë të dhënat në rrugë zyrtare, së bashku me emrat e personave të tjerë të implikuar në Shqipëri në planin e sulmit të zbuluar nga përgjimet intensive jo vetëm të autoriteteve shqiptare, por edhe atyre të huaja. Hetimet për ketë grup, ende pa u dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda, për të njëjtat vepra penale kanë nisur prej kohësh. Madje në kuadër të tyre në një burg të sigurisë së lartë është ushtruar kontroll dhe është gjetur një flamur i shtetit islamik. Të katër të dyshuarit në Shqipëri, që mbahen në “arrest me burg”, nuk kanë pranuar të flasin duke mohuar çdo qëndrim të prokurorisë. Por ata shfaqen në komunikimet telefonike dhe në rrjetet sociale duke paralajmëruar se goditja do kryhej së shpejti. Përveç akuzës së aktit terrorist, ata mbahen në paraburgim edhe për rekrutim të

Celula e ISIS kërkonte të shtrihej në Shqipëri

Operacioni antiterrorizëm i cli u zhvillua rreth 11 ditë më parë në qytetin e Shkodrës, që çoi në pranga 4 persona do të vazhdojë edhe në vazhdim. Bëhet me dije se një numër i madh personash të skeduar si të rrezikshëm mbahen nën mbikëqyrjen e anti-terrorit. Dyshohet se synimi i grupit terrorist që nuk konsiderohet  ende i shkatërruar nuk ka patur synim vetëm të organizojë dhe dërgojë besimtarë myslimanë për të luftuar përkrah ISIS. Një nga objektivat e tyre ishte krijimi i një organizimi të brendshëm vetëm për Shqipërinë. Në celulë janë përfshirë njerëz të besuar dhe qëllimi i saj është kryerja e akteve terroriste. Një ndër ta ishte edhe plani për të sulmuar kombëtaren izraelite të futbollit. Por duke qenë se 4 të arrestuarit në Shkodër, Bekim Protopapa, Xhezair Fishti, Medat Hasani dhe Ergys Faslija bashkëpunonin ngushtë me të arrestuarit në Kosovë, hetuesit dyshojnë se celula kishte synim edhe sulme në Kosovë. Dy prej të prangosurve atje kanë pranuar të bashkëpunojnë, por të dhënat mbahen sekret. Autoritetet shqiptare, për të kuptuar mënyrën se si funksiononte celula, kanë kërkuar nga pala kosovare informacione. Për këtë arsye është dërguar një letër-porosi për të sqaruar pozicionin e të ndaluarve në Shkodër, në celulën e cila dyshohet se drejtohej nga Lavdërim Muhaxheri.

Krimet e Rënda kërkojnë nga Kosova deklarimet e 11 të arrestuarve për terrorizëm

Prokuroria shqiptarë ka kërkuar nga drejtësia e Kosovës, deklarimet e 11 të arrestuarve, mes tyre dy të “penduarve” që kanë treguar për planin e sulmit në Shqipëri. Sipas akuzës, krahas dërgimit të besimtarëve në Siri, 4 të dyshuarit mendohet se po indoktrinonin besimtarët mysliman në mbështetje të organizatës terroriste ISIS. Letër-porosia do të dërgohet, pas informacioneve se dy nga 11 të arrestuarit, mes tyre një shtetas shqiptar nga Maqedonia, kanë pranuar të bashkëpunojnë me Prokurorinë Speciale, duke treguar planin e sulmit në Shqipëri. Sipas akuzës, përveç shkëmbimit të email-eve dhe informacioneve paraprake, me anë të letër-porosisë do të kërkohet informacione shtesë të siguruara nga Prokuroria e Kosovës. Gjithashtu, mësohet se është kërkuar edhe informacion shtesë, në lidhje komunikimet e të arrestuarve me Lavdërim Muhaxherin apo Ridvan Heqimin, që ndodhen në Siri. Këto komunikime, dyshohet se i mbante mes të tjerëve, nën hetim edhe Bujar Brahimi, i cili rezulton se është kthyer nga Lufta në Siri, ku mendohet se ka qenë pjesë e grupit terrorist që drejtohej nga Muhaxheri. Përveç deklarimeve dhe bisedave të përgjuara, do të kërkohen edhe akt-ekspertimet e kompjuterëve të sekuestruara dhe bisedat e mundshme nëpërmjet rrjeteve sociale me personat që ndodhen në Siri. Sipas akuzës, këto të dhëna do të ndihmojnë Prokurorinë për të zbardhur me detaje rolin e 4 të arrestuarve në Shqipëri, të cilët komunikonin vazhdimisht me shtetasit shqiptarë nga Kosova, të cilët merrnin urdhra për sulm nga Muhaxheri. Nga ana tjetër dyshohet se grupi i të arrestuarve në Shqipëri përveç se ofronin mbështetje grupit terrorist që do të sulmonte në Shqipëri, po punonin për indoktrinimin e ideologjisë së besimtarëve, në mbështetje të grupit terrorist ISIS. Gjithashtu, është provuar se pavarësisht dënimit të 9 besimtarëve në Shqipëri për dërgimin e myslimanëve në Siri, kjo linjë ka vazhduar por me numër më të vogël, duke shfrytëzuar rrugët tokësore nëpërmjet Greqisë, Maqedonisë, Bullgarisë e për të përfunduar në Turqi nga ku kalonin më pas në Siri. Nuk jepen detaje apo numri i personave, që kanë arritur të shfrytëzojnë këtë rrugë për t’ju bashkuar forcave terroriste të ISIS-it në Siri e Irak.

Celula e ISIS, nën përgjim prej 1 viti

Njëri nga 4 personat e arrestuar nën dyshimin se po planifikonin një sulm ndaj Kombëtares së Izraelit, mësohet se ka qenë nën përgjim prej më shumë se 1 viti. Ai ishte skeduar si një nga mbështetësit e dy imamëve të dënuar për rekrutim dhe propagandë për llogari të ISIS, Genci Balla dhe Bujar Hysa. Për këtë arsye ishte nën vëzhgimit e agjentëve të SHISH dhe Anti-terrorit. Pasi u verifikua nga shërbimi sekret i ushtrisë izraelite se Lavdërim Muhaxheri kishte komunikuar me shtetas kosovarë për një sulm të mundshëm ndaj Kombëtares së Futbollit të këtij vendi, celula në Shqipëri nisi të aktivizohej. Mes anëtarëve të saj ishte dhe personi që mbahej në survejim prej më shumë se një viti. Emri i tij nuk bëhet i ditur për arsye hetimore. Të premten e shkuar u arrestuan Ergys Faslia, Bekim Protopapa me profesion mjek, Medat Hasani dhe Xhazair Fishti. Gjatë kësaj jave në polici janë shoqëruar mbi 150 persona, kryesisht të dyshuar si të kthyer nga luftimet në Siri, familjarët të tyre. si dhe të skeduar të tjerë si mbështetës të ISIS.