U-19, zhgënjen Shqipëria, Islanda e mposht 1-4 në miqësore

10.09.2018 22:14:16

Paraqitje zhgënjyese e përfaqësueses U-19 të Shqipërisë në testin e dytë miqësor ndaj Islandës, e zhvilluar në “Elbasan Arena”. Formacioni i drejtuar nga Erjon Bogdani u mposht me rezultatin e thellë 1-4, duke dhuruar një performancë poshtë pritshmërive.

Kuqezinjtë e rinj u kapën në befasi që në minutën e pestë nga Heimison, ndërsa në fund të pjesës së parë Andrason i çoi shifrat në 0-2. Shqipëria arriti të ngushtonte përkohësisht diferencën me Nezhën në fillim të pjesës së dytë, por islandezët shënuan edhe dy herë të tjera me të njëjtin autor, Arnorson, për rezultatin përfundimtar 4-1.

Në takimin e parë miqësor me Islandën, vetëm pak ditë më parë, Shqipëria U-19 fitoi me rezultat minimal 1-0 me gol të Muçit.