Ushtria ndërhynë në Kukës, bora tek tuneli rreth 1 metër

06.01.2017 13:04:02

Një divizion i ushtrisë, së bashku me disa mjete është vënë në dispozicion të bashkisë së Kukësit.

Ka qenë vet kryebashkiku bashkim shehu që i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama gjatë një bisede telefonike, ndihmë për të përballuar situatën. Në dispozicion të Bashkisë së Kukësit është vënë edhe një fadromë dhe një gjenerator që do bëjë furnizimin me energji të njësisë vendore.

Fadroma dhe mjetet e rënda të ushtrisë kanë nisur nga puna në zonat e thella të qytetit verior për të hapur rrugët e bllokuara nga reshjet intensive të borës.

Ndërkohë nga moti i keq dhe erërat e forta, i gjithë Kukësi është pa energji elektrike që prej orës 13:00 të ditës së enjte, si pasojë e një defekti në linjat e transmetimit të energjisë, 110 kilovolt në Krumë të Hasit.

Specialistët e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit kanë mbërritur në vendin ku ka ndodhur defekti, por deri tani nuk është bërë i mundur riparimi.

Temperaturat deri në minus 10 gradë nuk kanë favorizuar elektriçistët të cilët janë detyruar që të ndërpresin punën për shkak të të ftohtit të madh.

Bora arrin në 1 metër, duke lënë të bllokuar dhjetëra Njësi Administrative në Kukës, Has e Tropojë.Lartësia e dëborës 70 cm në rajonin e Tunelit Kalimash ku punojnë 8 borëpastruese. Kukës-Bushtricë e qarkullueshme me zinxhirë.