Varfëria mendore e Presidentit Thaqi

17.05.2019 10:15:53

 

Nga Enver Zhinipotoku

Se Presidentit të Kosovës po i ndodhë sikur një boksieri të dobët në ring që përjeton nokdaun pas nokdauni ( megjithëse ende po qëndron në këmbët e tij), kjo për ata që e njohin skenën politike kosovare, nuk do shpjegim.
Pas varrosjes së idesë për ” korrigjim kufinjësh”, e cila siç pohoi Presidenti serb Vuçiq kishte qenë e tij, Presidenti Thaçi filloi të kakaris idenë e heqjes së kufirit me Shqipërinë, si ” mbeturinë e së kaluarës”, si ide joshëse për atdhetarët rrahagjoks, (që si mjeshtër që është bërë Presidenti ynë për ta për këso idesh), i mba një kohë si “anestezion”!
Në secilin brifing për gazetarë, që Presidenti dhe Kryeministri i mbajnë thuaja çdo ditë dhe nëpër përvjetorë dëshmorësh e viktimash të luftës, në të cilat të tre të parët e vendit janë të pashmangshëm për të plasuar idetë e tyre “gjeniale”, sikur ai i kritikës që u bënë Presidenti Thaçi vendeve të Quintit për mosunitet ndaj Kosovës.
Presidenti doli me kritikën që i bëri organizimit të Samitit të Berlinit, që në punën e tij nuk kishte inkorporuar prezencën amerikane, si të domosdoshme, pa të cilën nuk mund të ketë zgjidhje të qëndrueshme për Kosovën.
Po t’i ishte dhënë drita e gjelbër idesë së Vuçiçit për “korrigjim kufinjësh”, të cilën tragjikisht Thaçi e prezentonte si të tij dhe mundohej të na e shiste si të tillë mjerisht, ai kurrë nuk do ta kritikonte as samitin e Berlinit, as vendet e Quintit për mosunitet.Por, tani kur ideja e të dyve pësoi fijasko ( Vuçiqi e pranoi këtë, kurse Thaçi jo), ky i fundi po qon ” pluhur nëpër baltë) dhe për mosunitet, po fajëson të tjerët, në vend që të bëhej burrë e të fajësonte vetën!
Ç’është edhe më keq, Presidenti shkoi edhe më larg, që kritikoi vendet e Quintit se “mosuniteti i tyre ndikon edhe në prishjen e unitetit të faktorit politik në Kosovë!!!”
Natyrisht që kjo nuk mund të mohohet për një ndikim reciprok, por këtu Presidenti ynë, si hilexhi që është, bënë ndërrim tezash dhe në vend që të pranoi se mosuniteti ynë i brendshëm( për të cilin të gjithë miqtë na qortojnë, për çka sërish Presidenti është fajtori kryesor), është ai që ndikon edhe në mosunitetin e vendeve të Quintit dhe të faktorit ndërkombëtar, Hashim Thaçi e thotë të kundërtën.Ky mosunitet yni, domosdo i “detyron” edhe vendet e Quintit, edhe miqtë tjerë që të qojnë duart dhe të heqin shikimin nga ne dhe problemet tona!
Kur ata shohin se çfarë po ndodhë me idetë tua President, të cilat çdo ditë po mundohesh t’i fusësh me dhunë në trupin e plagosur të Kosovës si ” pykën” që nuk hynë, çfarë të drejte ke të kërkosh nga të tjerët, për atë që nuk e bënë ti?!
Ore të uruar! Ore të turpëruar! Para këtij populli, ti me Kryeministrin keni dalur me qëndrime jounike çdo ditë dhe në Samitin e Berlinit jeni paraqitur me ide të çatrafeluara, njëri thumbit, tjetri potkoit! Njëri për ” korrigjim kufinjësh”, tjetri për ” mbetjen e taksës”, e të dy kundër njëri- tjetrit, atëherë, çfarë kërkon nga vendet e Quintit?! Pse, atë që nuk e bëni ju, kërkoni ta bëjnë të tjerët për ne?!!! Kjo është më tepër se hipokrizi, është varfëri e juaj mendore! Testimonium paupertatis!, do të thoshin latinët.
Vetë Kryeministri e pranoi këtë, sapo u kthye nga Berlini, duke thënë se ” më shumë kam pasur presion për heqjen e taksës prej teje dhe Kryeministrit shqiptar Rama, se sa prej Vuçiqit dhe sejmenëve të tij!” A ka si thuhet më qartë, President! Atëherë, çfarë uniteti kërkoni prej vendeve të Quintit dhe pse hilet tuaja doni t’ua leni kile të tjerëve?! Pse nuk jeni të sinqertë, dhe një herë të ia thuani të vërtetën këtij populli e këtij vendi? Apo, mos ndoshta kjo është “virtyt” e gjarprit të paraluftës dhe e “Hashimit” të pas luftës?!!!
Me veprimet e juaja të pasinqerta e të dëmshme, ky lidership çfarë po na prini, gati na keni sjellur në gjendjen që ishim nën trysninë serbe, kur i kërkonim botës të na përkrahte të liroheshim prej atyre zullumçarëve, e tash prej juve, që na jeni mbështjellur me petkun joshës të çlirimtarëve!