Vargje nga poeti drenicas Hasan Dajaku

20.10.2019 13:22:12
Ç’pamë n’sytë e atij trimit, ç’pamë!
Valët e Drinit në shtektim
Të rrëmbyeshme,
Të pathyeshme –
Si në kohët me shkëlqim.

Pamë dhe bjeshkët e heshtura
N’atë thellësi –
Të buzëqeshura!

Pamë e ç’pamë në ata sy,
Një shkëndijë –
Diellin e agimit të ri!

*

GENCI

Më doli gjumi e fjalët e plakut
Më vinin si kushtrim:
– Nuk kalon andej, trim,
Pa u mundur dhuna e zezë
Dhe lakmia e mallkuar…”
U pikëllova unë pa masë
Kur e pashë se ish veç ëndërr
Që u tret si vesa në gjeth.

FËMIJA I
Ëndrra mirë të ka treguar:
Do të vijë, Genc, një ditë
Padyshim do të mundet dhuna,
E njerëzit e lirë
Mu si zogjtë do të shtegëtojnë!

FËMIJA II
Dhe e mallkuara lakmi,
Që njerëzit i verbon,
Do të tretet, do të shkon
Në fund të detit, në thellësi
Prej kah s’do të kthehet kurrë!

FËMIJA III
S’do të ketë në këtë botë
Asgjëkund kufinj të zinj,
Që janë shëmti e botës,
Që është dhe dhimbja jonë!

TË GJITHË
Do të kalojë kjo kohë me re,
Do të vijë një kohë e re,
Do të bjerë kufiri i zi,
Që e ndan zemrën nga zemra,
Që e ther në zemër një komb…

(Korbi e godet tavolinën. Ata krejt janë egërsuar)