Vargje nga Prend Buzhala / (Çast antilirik) I humburi në një kohë të përtymtë

15.01.2020 12:30:43
I HUMBURI NË NJË KOHË TË PËRTYMTË
(Çast antilirik)

Ç’po ndodh me ty
kur i merr rugët pa kry’
kaq i mashtruar në të gjitha
kahdo që po ecën, ecën nëpër shtigje mashtrimi,
secilës fjalë që e thua, t’i japin zë lajkatimi,
ti thua: kam lirinë,
kam atdheun tim dhe shtëpinë.
E, ato t’i shndërrojnë në vatra tymi,
diçka që shfaqet krejt e tymtë
e përtymtë, e tymosur,
e mjegullosur
që t’i djeg sytë,
të djeg në fyt
gati sa nuk të mbyt.
Kufitjë t’i vizatojnë të rremë, me kode tymi,
e bëzhdile lymi,
tapitë t’i bëjnë të rreme
si një gjethe e tharë peme,
me noterë, gjyqtarë e kumandarë
e me gjakun tënd bëjnë pazar,
me copat e trupit tënd të prerë,
një torzo e mjerë.

Flamuj të shumtë të rrethojnë,
aty ku vezullojnë
të mirat e të këqijat,
fshetësitë e dredhitë,
mashtrimet e krimet,
je bërë për lumë
për ta jetuar edhe një gënjeshtër më shumë:
(i mohuar anekënd)
një: si të zgjohesh si një i huaj në dheun tënd,
tjetrën: si të të mbetesh pa emër
e pa mbiemër.

Më kot ëndërron
e vegon
se je zgjuar nga një ëndërr e keqe
me leqe
disashekullore,
e prore
edhe zgjimi qenka i rremë,
pa rrënjë, trung e rremb,
i rremë duke e gënjyer vetveten e botën,
sa për të mebtur gjallë,
si leckamani në përrallë,
si grumbull i thjeshtrave,
i humbur në thasët e gënjeshtrave.

As vetë nuk e di sa centë të kanë shitur,
as e di kah ke shqitur,
kur lëkurën tënde e ke vënë në lojë,
as gëk pa bërë me gojë,
aty shtatë emra në tatuazh i ke për veten
e asnjëri nuk del i saktë,
të mbështillen e nuk di se kah mbetën,
i vërteti qenka nën lëkurë, i padukshëm
i palëkundshëm:
diku shtatë pash nën dhé
askush nuk e vë re.

15 janar 2020