Vetingu, Meta thërret Kuvendin në seancë të jashtëzakonshme të hënën

04.03.2017 00:06:17

Menjëherë pasi Avokati i Popullit i dorëzoi listën e OMN-së me rekomandimet e kandidatëve që pritet të bëjnë rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në të gjithë vendin, edhe kryeparlamentari Ilir Meta bën një hap përpara duke thërritur Kuvendin në një seancë të jashtëzakonshme, ku në rend të së cilës është pikërisht votimi i komisionit të vettingut. Kuvendi pritet të mblidhet të hënën në orën 18:00.

Vendimi për mbajtjen e kësaj seance është marrë këtë të premte, kur në Tiranë ndodhet për një vizitë zyrtare shefja e Politikës së Jashtme të BE, Federica Mogherini, e cila gjithashtu është takuar me Metën.

Konkretisht në rendin e ditës së seancës plenare të së hënës, zyra e shtypit e Kuvendit bën me dije se janë për shqyrtim dhe votim:

projektvendimi “Për procedurat parlamentare për funksionimin e komisioneve ad hoc dhe realizimin e procesit të votimit sipas ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” (neni 55, Rregullore, votim me shumicë të thjeshtë);

dhe projektvendimi “Për krijimin dhe përbërjen e komisionit ad hoc për verifikimin e kandidatëve për institucionet e rivlerësimit sipas ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” (neni 55, Rregullore, votim me shumicë të thjeshtë).