Vrasja misterioze e vëllezërve Bytyçi në Kosovë, Meta: Drejtësi, për të lehtësuar dhimbjen e familjes

08.07.2020 09:06:00

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka kujtuar përmes një statusi në Facebook dëshmorët e Batalionit “Atlantiku” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shtetasit amerikanë me origjinë shqiptare Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyçi.

Tre vëllezërit u ekzekutuan në mënyrë makabre në korrik 1999, pasi u kapën nga policia serbe në kufirin me Kosovën pas përfundimit të luftës, ndërsa ndihmonin një familje rome të largohej nga Kosova, ndërkohë që trupat e tyre u gjetën më vonë në një varr masiv në qendrën stërvitore të policisë në Petrovo Selo në Serbinë lindore.

Kreu i Shtetit shqiptar shprehet se “edhe pse kanë kaluar 21 vite nga vrasja e pabesë e tyre, fatkeqësisht ende nuk ka përparim për ndriçimin e këtij krimi monstruoz”.

Statusi i plotë

Çdo 8 korrik, kombi shqiptar nderon me respekt e mirënjohje kujtimin, veprën dhe sakrificën sublime të Dëshmorëve të Batalionit “Atlantiku”, vëllezërve Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyçi, nderin e historisë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe krenarinë e komunitetit shqiptaro-amerikan.
Ndonëse kanë kaluar 21 vite nga vrasja e pabesë e tyre, fatkeqësisht ende nuk ka përparim për ndriçimin e këtij krimi monstruoz! Vënia e drejtësisë pa pengesa dhe zvarritje do të lehtësojë jo vetëm dhimbjen e madhe të familjes së dashur Bytyçi, por do të japë një kontribut të çmuar për më shumë paqe, siguri dhe demokraci në rajonin tonë.
Vëllezërit Bytyçi me shembullin e jashtëzakonshëm të sakrifikimit më sublim në emër të atdhedashurisë dhe idealeve më të larta njerëzore, që sollën Kosovën e lirë e të pavarur, do t’i frymëzojnë dhe edukojnë përherë gjeneratat e reja. Sepse liria dhe pavarësia nuk janë të dhëna një herë e përgjithmonë.
Mirënjohje diasporës sonë në SHBA për kontributin e shkëlqyer të dhënë për çlirimin e Kosovës dhe për çështjen shqiptare ndër dekada, duke ndërtuar ura bashkëpunimi mes dy popujve dhe vendeve tona, për ruajtjen e traditave dhe zhvillimin e lidhjeve të forta që ekzistojnë mes amerikanëve dhe shqiptarëve.
Lavdi të përjetshme Dëshmorëve të luftës heroike të popullit të Kosovës, si dhe të mbarë kombit tonë!

Vrasja misterioze e vëllezërve Bytyçi në Kosovë,