Vrau gruan, Gjykata dënon me 35 vjet heqje lirie ish-gardistin

17.09.2016 14:33:49

Burgim të përjetshëm është masa e dënimit që Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë për ish-gardistin Admir Dervishi, i cili vrau bashkëshorten e tij. Fillimisht gjykata dha dënimin burg për jetë, por pasi pranoi gjykimin e shkurtuar të të pandehurit, ish-gardistit përfitoi uljen e dënimit me 1/3 dhe duhet të bëjë 35 vjet burg.

Sipas gjykatës vrasja ka ndodhur në rrethana rënduese. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në 6 prill të këtij viti, ku ish-gardisti vrau në sy të fëmijëve gruan e tij Ilda Dervishi 28 vjeçe. E gjithë ngjarja ka ndodhur ne prani të dy fëmijëve të mitur 4 vjeç dhe 10-muajshe.

Një kredi e marrë vite më parë nga vjehrra, për të cilën kishte dalë dorëzanë e shoqja, ishte shkaku që gardisti 29-vjeçar vrau të shoqen. Të paktën ky ishte pretendimi i Admir Dervishit, i cili i rrëfeu se ishte nxehur së tepërmi nga veprimi i Ildës, i ndërmarrë para shumë vitesh, por që gardisti nuk kishte pasur dijeni. Kësisoj, është rrëzuar versioni i parë i shkakut të vrasjes, sipas të cilit gjithçka kishte ndodhur për xhelozinë e burrit ndaj gruas.