Vuçiq: Rusia do të monitorojë marrëdhëniet ndërmjet Beogradit e Prishtinës

09.05.2018 10:38:20

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq deklaroi pas bisedimeve me presidentin rus Vladimir Putin se Rusia në mënyrë të qartë dhe pa mëdyshje do t’i shpreh pikëpamjet e saj lidhur me çështjen e Kosovës.

“Ajo çfarë është shumë e rëndësishme, e këtë unë ia thashë edhe Putinit se pa Rusinë dhe pa pëlqimin e Moskës është pamundur të arrihet çfarëdo zgjidhje. Rusia në këtë drejtim do të monitorojë përmbajtjen e bisedimeve tona dhe çdo gjë që do të ndodhë dhe me kohë do të reagojë në një mënyrë të caktuar”, deklaroi Vuçiq pas takimit me presidentin e Rusisë.

“Por, në një mënyrë shumë aktive dhe thelbësore [Rusia] do të marrë pjesë në monitorimin e gjithë procesit dhe marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës. Sidomos ndikimin e bashkësisë ndërkombëtare për këtë çështje”, u tha Vuçiq gazetarëve serbë, që e shoqëruan në vizitën e tij në Moskë.

Ai tha se me Putinin ka pasur një bisedë shumë të gjatë, të hapur dhe të sinqertë.

“Presidenti i Rusisë kishte durim për të dëgjuar të gjithë atë që unë kisha nevojë për t’ia thënë, shpjeguar dhe shpalosur si qëndrime të Serbisë për problemin tonë kryesor, e kjo është Kosova. Më duket se kurrë më gjatë nuk kemi biseduar për marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës dhe marrëdhëniet brenda bashkësisë ndërkombëtare. Qëndrimet tona në masë të madhe përputhen”, deklaroi ai.