Zëvendësi i Lumir Abdixhikut, para një muaji e quante LDK-në parti të ‘lazdruar’ e të korruptuar

11.02.2020 22:23:30

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Zogiani është emëruar sot zëvendësministër në Ministrinë e Infrastrukturës e cila udhëhiqet nga Lumir Abdixhiku i LDK-së.

Zogiani i cili tani është zëvendësministër në një ministri të udhëhequr në LDK e kishte akuzuar këtë të fundit mjaft shumë pas zgjedhjeve të 6 tetorit

Ai më 11 janar, nëpërmjet një postimi në Facebookun e tij kishte akuzuar LDK-në se është e korruptuar.

Zogiani madje kishte thënë se “LDK është lazdruar”, gjithashtu duke thënë se shoqëria e ka mbyllur njërin sy sa i përket kësaj partie që është njëlloj e korruptuar si partitë e tjera.

Zogiani nuk ishte mjaftuar me kaq! Pak ditë më vonë, ai e kishte akuzuar nënkryetarin e LDK-së, tani ministër i Punëve të Brendshme, Agim Veliu se ka lidhje me Partinë Demokratike të Kosovës dhe se për këtë arsye po e pengon koalicionin Vetëvendosje – LDK.

Ai kishte vazhduar më tutje të polemizojë me zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Facebookun e tij, ku pas Veliut cak ishte Arban Abrashi i cili kishte deklaruar se propozimin për president LDK-ja do ta bëjë për shtetin.

“Për shtetin, edhe Thaçi qe pa ba president”, ka shkruar Zogiani bashkangjitur me deklaratën e Abrashit.

Zogiani edhe më tutje kishte vazhduar, madje edhe të ironizonte me figurat kyçe të LDK-së. Ai në një postim kishte ironizuar duke krahasuar nënkryetar i LDK-së, Agim Veliu me mbrojtësin shqiptar të Arsenalit, Shkodran Mustafi.

“Me e pase Mustafin ne ekipe, si me e pase Agim Veliun ne parti, kur t’eshte tu ece ma se miri, ta djege lojen!”, kishte shkruar Zogiani.

Zogiani gjithashtu kishte akuzuar publikisht disa nga krerët e Lidhjes Demokratike të Kosovës duke thënë se po e pengojnë koalicionin me Vetëvendosjen.

Kësaj radhe, cak ishte përsëri Agim Veliu, por i shoqëruar me Lutfi Hazirin, Driton Selmanajn e Skënder Hysenin.

Zogiani që nga sot, do të jetë zëvendës i Lumit Abdixhikut të LDK-së që vjen nga partia e cila ishte ‘krip në sy’ për Zogianin gjatë peridhës kur po negociohej për koalicionin qeverisës.

Mbetet të shihet se si do t’i shkojë puna Zogianit me Abdixhikun dhe a ka ndryshuar mendim për LDK-në si parti pasi do të jetë zëvendësministër në një ministri të udhëhequr nga kjo parti.